Bashkimi Evropian ka vendosur të financojë me 50 milionë euro një program të ri që synon të përmirësojë mundësitë e punësimit për të rinjtë në Shqipëri. Programi, me një vlerë totale prej 63.48 milionë euro, ku 13.48 milionë euro vijnë nga buxheti i shtetit shqiptar, synon të ndihmojë në frenimin e emigrimit përmes nxitjes së arsimit profesional dhe integrimit në tregun e punës.
Ky projekt fokusohet te grupmosha 15-29 vjeç dhe do të përfshijë trajnime për kualifikim profesional, bursa për të rinjtë nga grupet vulnerabël, si dhe mbështetje për studentët me vështirësi në të nxënë. Qëllimi kryesor është të krijohen më shumë mundësi për punësim brenda vendit dhe të reduktohet papunësia nga 26.1% në 15% deri në vitin 2030.
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, e cila ishte edhe relatore e marrëveshjes, deklaroi se programi do të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet për të krijuar një ambient të favorshëm për të rinjtë, veçanërisht për ata më të pambrojtur.
Ky investim vjen në një moment kur Shqipëria përballet me sfida të reja në rrugën drejt integrimit evropian dhe përpiqet të shmangë një valë të re emigrimi të të rinjve për shkak të mungesës së perspektivës në vend.