Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok, por ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të tij. Kërkesa ishte bërë nga Asociacioni për Gazetarët Shqiptarë, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri dhe Qendra për Fuqizim Ligjor.
Gjykata vendosi kalimin e çështjes në seancë publike, duke ftuar si palë të interesuara Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Gjykata kërkon që të dorëzojnë parashtrime me shkrim nëse kanë argumente shtesë për çështjen.
Asociacioni i Gazetarëve ka reaguar për vendimin:
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) mirëpret vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën tonë të përbashkët me organiztat partnere për shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 151 të datës 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave, që ndalon përdorimin e platformës “TikTok” në Shqipëri.
Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend.
Megjithëse Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë, shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson për rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve.
Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat
AGSH mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e hapësirës mediatike të lirë dhe të pavarur në Shqipëri. “