Deputeti kanadez, Yvan Baker riprezantoi në Dhomën e Komunave projektligjin e tij si anëtar privat, i cili, nëse miratohet, do të shpallte muajin nëntor si Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në të gjithë Kanadanë.
Baker falënderoi deputetin Peter Fonseca për mbështetjen ndërsa, shprehu shpresën se të gjithë anëtarët e Dhomës së Komunave do ta mbështesin nismën.
“Kanadezët me prejardhje shqiptare kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë historike në Kanada, me kontribute që prekin komunitete në të gjithë vendin dhe që pasqyrohen në jetën ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore të Kanadasë”, u shpreh Baker.
Nëse miratohet, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare do të shërbente si një mundësi e veçantë për të njohur dhe vlerësuar kontributet e shqiptarëve në shoqërinë kanadeze.
Ruki Kondaj, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada janë ndër mbështetësit e kësaj nisme.