Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë një deklaratë të fortë përmes rrjeteve sociale, duke përmendur rolin e tij në parandalimin e konflikteve të shumta, përfshirë edhe krizën mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të parë.
Ai përmendi konkretisht përshkallëzimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij, duke thënë se vendet ishin në prag të luftës, por ndërhyrja e tij kishte sjellë stabilitet. Ai gjithashtu paralajmëroi marrëveshje mes dy vendeve.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke e përshkallëzuar situatën me intensitet, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova”, deklaroi Trump.
Ai nuk la pa përmendur edhe ish-presidentin Joe Biden, të cilin e akuzoi për prishjen e perspektivës afatgjatë në rajon.
“Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të marra, por unë do ta rregulloj, përsëri!”, u shpreh ai me tone të ashpra.
Trump paralajmëroi gjithashtu se shumë shpejt mund të ketë një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se aktualisht po zhvillohen shumë thirrje dhe takime.