Shpeshherë kur mendojmë për fotografitë, nuk na shkojnë në mendje fare historitë e dhimbshme që mund të jenë të fshehura prapa tyre, pasi që shumicën e kohës ato thjesht qëndrojnë nëpër rafte dhe sirtarë të ruajtura me kujdes, duke përfaqësuar një lidhje mjaft të dhimbshme dhe shpeshherë edhe të fundit me një person të dashur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pikërisht ky mendim u bë një shtysë kryesore që të filloj shkrimin e këtij artikulli, dhe të tregohet se historia e një fotografie mund të ketë një domethënie mjaft të madhe jo vetëm për neve si audiencë, por edhe për familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës, pasi që në mungesë të dokumenteve apo dëshmive zyrtare, ata i kthejnë këto kujtime në simbole të kujtesës për më të dashurit e tyre.
Kurioziteti im për të kuptuar më shumë mbi këtë temë, më solli në një bisedë me një njeri, i cili ka dokumentuar këto momente në kohë reale – fotoreporteri Hazir Reka.

Reka, shquhet për punën e tij, pasi që ka qenë dëshmitar i shumë momenteve të dhimbshme gjatë kësaj periudhe, dhe ka dokumentuar çaste mjaft të rëndësishme përmes punës së tij.
Sipas tij fotografitë duhet të ruhen si kujtesë private, por që një pjesë e tyre që kanë vlerë historike duhet që të arkivohen në hapësira publike.
“Prej vitesh njerëzit kanë fotografuar festa, objekte, dhe njerëz të ndryshëm që sot mund të mos ekzistojnë më. Ato kanë vlerë historike dhe duhet që të ruhen si dëshmi,” thotë ai.
Reka gjithashtu thekson edhe vështirësitë nëpër të cilat ai kishte kaluar gjatë fillimeve të karrierës së tij si një fotoreporter i ri, ku sfidë kryesore ishte mungesa e pajisjeve adekuate për dokumentimin e ngjarjeve të asaj kohe. Një nga ngjarjet specifike që ai kujton të ketë pasur probleme me pajisjet e tij ishte në masakrën e Reçakut.

“Kur ka ndodhur masakra e Reçakut, kam shkuar shumë më herët në vendin e ngjarjes, edhe e kisha një problem me aparat, për shkak se ishin pajisje të vjetra, por me ndihmën e kolegëve të mi fotografë e kam evituar problemin. Mund të paramendoni mos të kisha pasur ato fotografi shumë të rëndësishme, duke e pasur parasysh edhe rrezikun për të arritur deri atje, ku gjatë rrugës ka pasur mundësi që të ndodhë gjithçka e të kthehesh pa fotografi”, kujton ai.
Sa i përket rolit të fotografisë në pajtim dhe dokumentim, Reka tregon se pavarësisht përpjekjeve të tij bashkë me kolegët për të ruajtur materiale të rëndësishme, institucionet nuk kanë qenë të kujdesshme sa i përket këtij aspekti.
“Që nga viti 1984 e deri më sot kam përcjellur shumë ngjarje si:protesta, demonstrata,luftën,refugjatët, kthimin e tyre prej vendeve të ndryshme ku ishin ata, dhe për mua ka rëndësi kronologjia e ngjarjeve nëpër këto vite. Edhe pse shteti nuk ka qenë mjaft i kujdesshëm në arkivimin e tyre – po flas për fotografitë e mia edhe të kolegëve të mi, por ndoshta i vjen koha.”, thotë Reka.

Nga ana tjetër, institucionet thonë se tashmë ekziston një përpjekje institucionale për dokumentimin e këtyre dëshmive vizuale. Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ekziston arkiva shtetërore, ku edhe dokumentohen dhe ruhen materiale që përmbajnë dëshmi të forta rreth luftës së fundit në Kosovë.
“Krijimi dhe funksionimi i kësaj arkive bazohet në nenin 5 dhe nenin 7 të Ligjit nr. 08/L-145, ku Institutit i jepet mandati për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe publikimin e të dhënave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Arkiva përfshin fotografi të siguruara nga familjarët, OJQ-të, institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe burime të hapura publike. Këto fotografi janë të kataloguara sipas protokolleve të verifikimit dhe janë pjesë e dosjeve të dokumentimit të rasteve të krimeve”, thekson Drilon Selmani nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Selmani gjithashtu thekson vlerën dhe rëndësinë që Instituti iu kushton fotografive familjare në mungesë të dokumenteve zyrtare, pasi që sipas tij, këto fotografi zënë një rol mjaft të rëndësishëm në procesin e dokumentimit.

“Instituti i konsideron ato si dëshmi mbështetëse me vlerë historike, emocionale dhe dokumentuese. Ato ndihmojnë në identifikimin e viktimave dhe konfirmimin e pranisë së tyre në kohë dhe vende të caktuara. Në disa raste, fotografitë janë përdorur si pjesë e dosjeve dokumentuese që i janë dorëzuar institucioneve të drejtësisë, ku ato shërbejnë si element mbështetës për dëshmitë dhe faktet e tjera në proceset hetimore apo gjyqësore.” shtoi Selmani.
Megjithatë, sipas Selmanit i gjithë procesi i grumbullimit dhe dokumentimit të këtyre materialeve dhe dëshmive, nuk është aspak i lehtë për shkak se përballen me sfida nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e informacioneve dhe të dhënave, përgjegjësia ligjore për verifikim, e deri tek rreziku për manipulimin e këtyre dëshmive.
Aktualisht Instituti Për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka grumbulluar rreth 20TB material digjital, 320 metra material fizik, dhe mbi 900 tituj të librave në bibliotekën e tyre, kurse sa i përket çështjes së personave të zhdukur, janë në proces të përgatitjeve zyrtare të të dhënave.

Si përfundim, edhe pse tashmë kanë kaluar 26 vite nga lufta e fundit në Kosovë krimet e luftës ende mbeten të jetësuara në mesin tonë, pra ato nuk vjetërsohen me kalimin e kohës, dhe pikërisht fotografitë e shumta të kësaj periudhe kanë shërbyer si dëshmi të gjalla të kësaj kohe të hidhur. Ani pse koha ka kaluar, institucionet e drejtësisë vazhdojnë që të ndjekin penalisht dhe të zbardhin rastet e krimeve të luftës. /Sara Mulliqi/ Telegrafi/
Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace -Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.