Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u zhvilluan në mënyrë konkurruese dhe profesionale, sipas raportit të paraqitur këtë të hënë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Raporti, i prezantuar nga anëtarja Maria Luz Martinez Seijo në emër të kreut të delegacionit Simony Bili, vlerëson organizimin dhe përparimin pozitiv në aspektin teknik dhe institucional, si dhe mundësimin e votës së diasporës.
Megjithatë, në raport vihet theksi edhe te disa sfida që kërkojnë vëmendje si polarizimi politik, ndikimi në administratën publike apo edhe ankesat për intimidim.
“Delegacioni arriti në përfundimin se zgjedhjet ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale. Megjithatë, sfondi politik ishte shumë i polarizuar. Kandidatët nuk konkurronin në kushte të barabarta dhe, megjithëse shumica prej tyre ishin të lirë të bënin fushatë, disa u ankuan për intimidim.”, tha Seijo, duke shtuar se mediat sociale krijuan një diskurs përçarës pasi nuk ka edhe një institucion mbikëqyrës të tyre.
Raporti vlerëson votën e diasporës duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme dhe që u mirëprit nga emigrantët. Procesi elektronik, i aplikuar në njësinë 10 dhe në bashkinë e Vorës, vlerësohet gjithashtu, por vihet theksi edhe te fakti se disa votues nuk ishin të familjarizuar me sistemin dhe komisionerët nuk ishin të trajtuar mjaftueshëm.
“U raportuan edhe raste intimidimi dhe ndërhyrjeje nga vëzhguesit e partive, shkelje të të drejtës për fshehtësinë e votës, si dhe mungesë të aksesit për persona me aftësi të kufizuara. Më shumë se gjysma e qendrave që vëzhguam nuk ishin të aksesueshme për këtë kategori.”
Në raport përmendet edhe bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore, duke e cilësuar si një përparim pozitiv.
“Delegacioni njohu punën e bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët bashkëpunuan në mënyrë efektive për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.”, theksoi ajo.
Në fund, Asambleja kërkon që të adresohen rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të OSBE-së, depolitizimi i administratës zgjedhore, marrja e masave për të parandaluar blerjen e votës dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga partia në pushtet.
“Ne sugjerojmë që të jepet përparësi këtyre fushave: adresimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe të OSBE-së në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë; depolitizimi i administratës zgjedhore, sidomos në nivelet më të ulëta; marrja e masave për të parandaluar blerjen e votës dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga partitë në pushtet. Gjithashtu, duhet ndërmarrë masa për të rritur edukimin politik, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kryhet një vlerësim i duhur i votimit nga jashtë vendit dhe të identifikohen fushat ku mund të bëhen përmirësime në të ardhmen.”, theksoi ajo.