Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se në takimin e nesërm të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) do të theksojnë se duhet të ketë kompromis dhe bashkëpunim.
Para gazetarëve, sekretarja e përgjithshme e PDK-së tha se asnjëherë nuk kanë ikur nga takimet.
“U pa edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetetuese – ne kemi pasur të drejtë. Situatat si këto kërkojnë kompromis, kërkojnë bashkëpunim dhe Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur takimeve. Në takim do të themi po të njëjtat gjëra që i kemi thënë vazhdimisht tash e disa muaj. Në politikë dhe në demokraci nuk ka vend për kryeneçësi. Duhet të ketë hapësirë për kompromis dhe për bashkëpunim. Ne kemi ofruar alternativat tona shpresoj që tani LVV të reflektojë”, deklaroi ajo.
Ajo tha se nuk ka asgjë obligative në demokraci, derisa u pyet për deklarimin e deputetit të LVV-së, Xhelal Sveçlës.
“Jo, obligative nuk ka asgjë në demokraci përveç respektimit të Kushtetutës, ligjit dhe rendit. Mirëpo, ne shkojmë aty për të shprehur gatishmërinë tonë për të zhbllokuar situatën e rëndë në të cilën jemi. Kemi shkuar në takime më herët, ne jemi konsistentë”, shtoi ajo.
Ndërkaq, sa i përket votimit në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve ajo tha se një gjë e tillë nuk është e paraparë me rregullore të punës së kuvendit.
“Janë dy votime të ndara me rregulloren e punës. Kryetari i përfaqëson të gjithë, e nënkryetarët e përfaqësojnë vetëm subjektin politik… Ky është një lexim tërësisht i gabuar i rregullores së punës së kuvendit dhe Kushtetutës, po e ripërsëris kryetari i kuvendit përfaqëson kuvendin, ndërkohë që nënkryetarët i përfaqësojnë subjektet politike, për atë arsye edhe votimi është i ndarë, nënkryetarët votohen në pako”, përfundoi ajo.