Në Varrezat Monumentale të Kllogjerit është përkujtuar sot 81-vjetori i genocidit të Çamerëve nga Greqia, një ngjarje e organizuar nga Bashkia e Konispolit.
Pavarësisht temperaturave të larta, qindra çamë, pasardhës të viktimave, vendosën lule pranë monumentit në nderim të të parëve të tyre.
Fadil Nuriu, i cili ishte vetëm 9- vjeç kur grekët i dogjën shtëpinë, dhe ngeli i vetmi bashkë me vëllain, sot vjen nga Amerika për të kujtuar genocidin ndaj familjes së tij dhe çamëve.
“Jam 90 vjeç pa gënjeshtra. Kur ra Yerva në Greqi, tha që gjithë shqiptarët të hapnin dyqanet dhe të punonin. Pastaj, tha: ‘Cilët janë burrat, i kapni dhe i therrni si këca.’ I kam parë sikur më qenë sot me ju. Nga shtëpia ime pak mendjen lartë, takojmë myftinë e Çamerisë. Pak më lart takoj Xhevitin, djalin e tij, e kapën nga flokët dhe e tërhoqi një ushtar grek. Ai tha, ‘Oh, nena ime,’ e mbaj mend si tani. E vranë, e therrën me thikë, e zhduken. Burrat që kapën i vranë me thikë dhe i zhduken. Këto janë të vërteta. Dy ditë më vonë morën gratë, i mbyllën dhe iu morën vathe e unaza. Nena ime kishte një vajzë në djep, u fut brenda të merrte rrobat e vajzës dhe në 5 minuta e dogjën, vetëm dhembët i mbetën. Pastaj erdhëm në Shqipëri, nena vdiq dhe ne mbetëm dy vëllezër jetim. Kam qenë 8-9 vjeç kur ndodhi kjo ngjarje’, tha ai.
Për Hatixhe Rakipin, dita e sotme nuk është vetëm një homazh ndaj familjarëve të saj, por edhe një ditë ku zëri i çamëve që kërkojnë drejtësi duhet të dëgjohet.
“Te kujtojmë të parët tanë, sepse në atë mur atje unë kam 12 veta, fëmijë xhaxhallarësh, nga ana e babait, gjyshërve tanë. Kemi ardhur për t’i respektuar, edhe për të kërkuar të drejtat tona të mohuara kudo dhe për të kërkuar të drejtat e atyre njerëzve që na prehen nëpër rrugët e botës, që u janë hedhur kockat në kanale të vendeve këtu dhe ne nuk dimë ku të shkojmë për t’i qarë dhe mblidhemi këtu për njerëzit tanë’, tha ai.
Homazheve iu bashkuan dhe politikanë. Për deputetin socialist Ardit Bido, kjo është një pjesë e historisë që nuk duhet harruar. Ndërsa Dashamir Tahiri akuzon Shpëtim Idrizin për privatizimin e partisë.
“Ne kemi për detyrë të kujtojmë të gjithë viktimat e pafajshme, veçanërisht ato të Çamerisë, sepse secili nga ne mund të kishte qenë në vendin e tyre në atë kohë dhe do të kishte pësuar të njëjtin fat. Duhet ta kremtojmë këtë pjesë të errët të historisë sonë përherë’, tha Bido.
‘Ju e dini si ka qenë më parë këtu, është një çështje e vështirë që do kohën e saj dhe do një zgjidhje diplomatike. Bisedimet e dy shteteve duhet të sjellin zgjidhjen e këtij ngërçi, por çamët janë riorganizuar me këtë që patët sot dhe do të rinovohen më mirë, nuk do ta lënë këtë çështje në duar të një njeriu, Shpëtim Idrizi, i cili ka zaptuar si shoqatën, ashtu edhe partinë dhe i ka kaluar në një pronë private. Kjo është partia e çamëve dhe askujt tjetër, ata kanë të drejtë ta rinovojnë dhe ta rikthejnë’, tha Dashamir Tahiri.
Në Xarrë ndodhet monumenti i viktimave nga genocidi grek. Çdo vit, qindra çamë mblidhen aty për të përkujtuar të parët e tyre.