Carlos Garcia Badias është zyrtarisht trajneri i ri i Flamurtarit. Vlonjatët ia kanë besuar spanjollit 41-vjeçar projektin e ringritjes pas rikthimit në elitë pas një mungese pesë vjeçare.
Garcia është prezantuar zyrtarisht në Vlorë, ku paraprakisht mesditën e kësaj të premteje është takuar edhe me administratorin Sinan Idrizi. Garcia e ka nisur karrierën te Dangdai në Kinë si ndihmës, para se në 2022 të merrte drejtimin e TLV Bat Yam, ekipi i vetëm ku ka qenë trajner i parë. Më pas karriera e tij vijoi në Serie A si asistent teknik te Udinese dhe më pas në SHBA si ndihmëstrajner te Chicago.
Tanimë Garcia pranoi ofertën e Flamurtarit dhe kuqezinjtë do bëhen ekipi i tij i dytë që drejton nga stoli. Sa i takon karrierës si futbollist, spanjolli i lindur në Barcelonë ka luajtur me Espanyol, Almeria, Real Betis, Macabi Tel Aviv apo edhe Alanyaspor.
Vlonjatët nuk janë mjaftuar vetëm me stolin, por kanë lëvizur edhe me disa futbollistë. Lorenc Trashi dhe Ariel Kaloshi kanë rinovuar kontratat, ndërsa kanë firmosur me dy futbollistë të rinj; Todor Todoroski dhe Igor Aleksovski.