Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 58 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet aktive. Vatra aktive është në fshatin Markatomaj, njësia administrative Zejmen në Lezhë, ku forcat zjarrfikëse dhe banorët lokalë po punojnë për shuarjen e saj.
Në qarqe të ndryshme si Berat, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Vlorë, zjarret e raportuara janë neutralizuar në kohë të shkurtër. Një vatër zjarri u shua edhe në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë, pa dëme në njerëz, vetëm materiale, raporton Top Channel.
Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 32 hektarë bimësi, përfshirë sipërfaqe me lis, arra dhe ullinj. Në operacionet e shuarjes morën pjesë 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Instituti i Gjeoshkencave parashikon nivel rreziku të lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier për ditën e sotme, ndërsa në qarqet e tjera rreziku pritet të jetë i moderuar.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal të qytetarëve për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret