Nis sot përballja e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi me drejtësinë për dosjen “Partizani”. Sot, në orën 10:00, në GJKKO zhvillohet seanca e parë e procesit në themel.
Sali Berisha, dhëndri i tij dhe tre të akuzuarit e tjerë përballën për herë të parë në bankën e të akuzuarve si të pandehur në një proces penal. Nuk dihet nëse Berisha do të jetë apo jo i pranishëm në seancë apo do të përfaqësohet nga avokatët.
Po sot, në orën 09:30, GJKKO do shqyrtojë kërkesën e Malltezit për revokimin e masës së sigurisë.
Dosja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të caktuar me short Elsa Ulliri kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi anëtarë të trupit gjykues. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë që do të jetë një proces i gjatë.
Dosja kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u mbajt peng prej 7 muajsh.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Sali Berisha ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në prokurori, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, është në arrest shtëpiak. Fillimisht, Berisha refuzoi të zbatojë masën e parë dhe për këtë u vendos arrest shtëpiak për 11 muaj. Apeli i Posaçëm i ndryshoi masën e sigurisë duke e lënë në detyrim paraqitje.
Dosja ‘Partizani’, të pandehurit:
1-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin
2-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
3- Fatmir Bektashi – , akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
4- Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim
5- Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
6-Studio Pustina sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
7-Shoqëria Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
8-Shoqëria Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”