Sali Berisha dhe dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi do të përballen për herë të parë me drejtësinë për aferën korruptive të privatizimit të ish-klubit Partizani. Ish-kryeministri zgjodhi që të mos paraqitet në seancën e parë në themel në GJKKO, duke përdorur taktika zvarritjeje me fletëthirrjen, ndërsa mungoi edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, me argumentin se është sëmurë. Para trupit gjykues u paraqit vetëm dhëndri Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, ndërsa mungoi edhe Andia Pustina dhe as kompania ‘Homeplane’ nuk kishte përfaqësues ligjor.
Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë dërguar të premten e 27 qershorit fletëthirrjen për Sali Berishën, e cila është firmosur nga Jamarbër Malltezi. Trupa gjykuese e pyeti Malltezin nëse e ka njoftuar vjehrrin e tij, por ky i fundit pranoi se nuk e kishte njoftuar, pasi sipas tij ishte një kohë e shkurtër, duke thënë se as nuk kishte dijeni nëse Berisha e ka marrë njoftimin që sot në GJKKO do mbahej seanca.
“Njoftimi ka shkuar ditën e premte për Berishën, është firmosur nga Malltezi. Koha ka qenë e shkurtër për tu njoftuar sipas shpjegimit që dha Malltezi. Edhe ne nuk kemi patur kontakte gjatë kësaj kohe”, tha në seancë avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari.
Shkeljet me tenderin 2.29 mln € për Shpal-Rrëshen, SPAK i komunikon akuzën kreut të KPP, Jonaid Myzyri
Në këto kushte, përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës duke thënë se Berisha nuk është njoftuar sipas ligjit, por edhe për shkak të mungesës së Bektashit dhe përfaqësuesve ligjor të “Homeplan”. Treshja gjykuese, me kryesuese Elsa Ulliri dhe relatorë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi, vendosën që ta shtyjnë seancën më datë 21 korrik ora 10:30. Gjykata nuk vërtetoi dot nëse Berisha kishte marrë dijeni për fletëthirrjen, e cila duhet të firmoset nga ai dhe më pas të shprehte vullnetin nëse do përfaqësohej nga avokatët mbrojtës apo do ishte vetë i pranishëm në seancë.
Ndërkohë, burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi bëjnë me dije se gjyqtarja Ulliri ka kërkuar dorëheqjen nga gjykimi i dosjes së aferës Partizani. Të njëjtat burime sqarojnë se dorëheqja i është dorëzuar vetëm 10 ditë më parë (rreth datës 20 qershor) drejtuesit të GJKKO, Erion Bani me argumentin se kërkon të tërhiqet nga kjo çështje pas është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Kujtojmë që trupa gjykuese e aferës Partizani u zgjodh më datë 2 qershor dhe mbetet e paqartë se përse gjyqtarja Ulliri hezitoi 2 javë për të dorëzuar kërkesën për dorëheqjen, pasi lidhja e saj me deputeten demokrate u bë edhe debat publik.
Për sa kohë nuk kemi një vendim nga Erion Bani, treshja e gjyqtarëve të aferës Partizani mbetet e njëjtë, por nuk marrin dot vendime. Për këtë arsye, sot në orën 09:30 GJKKO u shty një tjetër seancë për dhëndrin Jamarbër Malltezi, i cili kërkonte revokim të masës arrest shtëpie. Seanca u shty më datë 7 korrik, pasi kërkesa do të shqyrtohej nga Ulliri.
Berisha dhe Malltezi sulmojnë drejtësinë
Si Berisha edhe dhëndri i tij, sulmuan drejtësinë duke e quajtur një proces farsë, që sipas tyre është ndërmarrë me urdhër të Edi Ramës.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqësor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi.
Fill pas urdhrit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij”, shkroi Berisha.
“Menjëherë pas urdhrit të Edi Ramës në kongresin e PS në prill 2022, prokurorët politikë të nënshtruar kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit. Edi Rama i dha komandën SKAP-it dhe menjëherë vepruan”, u shpreh Malltezi.
Dosja ‘Partizani’
Dosja për aferën Partizani, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u mbajt peng prej 7 muajsh. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë që do të jetë një proces i gjatë. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Dosja ‘Partizani’, të pandehurit:
1-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin
2-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
3- Fatmir Bektashi – , akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
4- Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim
5- Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
6-Studio Pustina sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
7-Shoqëria Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
8-Shoqëria Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Zvarriti seancën e parë të gjyqit për aferën Partizani, Berisha asnjë shpjegim përse nuk u paraqit në GJKKO dhe sulmon drejtësinë: Procesi, piramidë mashtrimi
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas seancës së parë në GJKKO për aferën Partizani. Në një postim në Facebook, Berisha nuk jep asnjë sqarim se përse nuk u paraqit në gjyq, por përdori manovra me fletëthirrjen për të zvarritur seancat. Berisha përdor të njëjtat argumente, që nga momenti që ndaj tij nisën hetimet, duke thënë se ky është një proces politik i marrë me urdhër të Edi Ramës.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqësor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi.
Fill pas urdhrit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij”, shkroi Berisha.
Prokurorët politikë u bazuan në kallëzimin e rremë të ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla kryer në 2020, sipas të cilit kryeministri Sali Berisha i ka kthyer dhëndrit të tij tokë të shpronësuar nga autoritetet italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra kinse tokë publike nga territori i klubit “Partizani”. Ndërkohë Fletoret Zyrtare të atyre viteve provonin se toka në fjalë kishte mbetur gjithnjë tokë private dhe se nuk ishte shpronësuar kurrë”, shkruan Berisha.
Berisha thotë se “drejtësia politike nuk do mund të shpëtojë kurrë Edi Ramën nga fundi që e pret atë dhe pushtetin e tij, të ngritur mbi krimin, drogën dhe mjerimin e shqiptarëve.”
Elsa Ulliri kërkon dorëheqjen nga gjykimi i dosjes Partizani, reagon GJKKO: Vendimi do komunikohet në seancën e radhës
GJKKO ka bërë një reagim lidhur me kërkesën e Elsa Ullirit, gjyqtares kryesuese për t’u tërhequr nga gjykimi i dosjes Partizani, me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë. Në njoftim thuhet se nëse do të ketë një njoftim për këtë çështje më 21 korrik, kur është caktuar seanca e radhës.
Por pavarësisht kërkesës së gjyqtares, ajo do të jetë e pranishme në seanca, treshja e gjyqtarëve të aferës Partizani mbetet e njëjtë, por nuk marrin dot vendime.
“Nisur nga interesi i lartë nga ana juaj për t’u informuar nëse gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesë për dorëheqje nga çështja penale në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, etj…, me porosi të Zëvendëskryetarit të Gjykatës Z. Erjon Bani, ju bëjmë me dije se lidhur me këtë pjesë do të informoheni në seancën gjyqësore të rradhës, datë 21.07.2025, ora 10:30, ku trupi gjykues do të relatojë në seancë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë e tillë si dhe vendimmarrja e titullarit, në rast se ka pasur vendimmarrje”, njofton GJKKO.
Kërkesa e Elsa Ullirit për dorëheqje nga gjykimi i dosjes Partizani, Gjokutaj: Muhabete korridoresh, vendimi duhet të ishte marrë
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj foli për mediat pasi GJKKO shtyu seancën e parë gjyqësore për aferën Partizani.
I pyetur për kërkesën e gjyqtares Elsa Ulliri për t’u dorëhequr nga gjykimi i kësaj dosjeje, Gjokutaj e cilësoi si një “muhabet nëpër korridore të gjyqtares”.
“Ajo ishte në seancë. Për sa kohë që një gjyqtare bën muhabete në korridore dhe vjen drejton seancën janë historira të tejkaluara. Unë se di këtë fakt, ajo sot ka drejtuar seancën gjyqësore. Mendoj se 10 ditë përpara që është bërë kjo kërkesë, nuk duhej lënë të vinte dita e gjykimit dhe do ishte marrë një vendim. Duhet të ishte marrë.”, tha ai.
Shtyhet seanca për dosjen e aferës Partizani/ Berisha mungoi, Malltezi: Nuk e njoftova për fletëthirrjen! Kraja: Nuk është bërë njoftimi sipas ligjit
Në GJKKO po mbahet seanca e parë në themel për aferën Partizani. Ish-kryeministri Sali Berisha mungon në seancë, ndërsa i pranishëm është dhëndri Jamarbër Malltezi. Trupa gjykuese pyeti Malltezin nëse ka njoftuar Berishën, pasi OPGJ ia ka lënë atij fletëthirrjen. Malltezi tha në seancë se nuk e ka njoftuar dhe nuk është në dijeni nëse vjehrri i tij ka marrë njoftim.
Klodiana Gjyzari, avokatja e Berishës: Njoftimi ka shkuar ditën e premte për Berishën, është firmosur nga Malltezi. Koha ka qenë e shkurtër për tu njoftuar sipas shpjegimit që dha Malltezi. Edhe ne nuk kemi patur kontakte gjatë kësaj kohe.
Arben Kraja kërkon shtyrjen e seancës pasi nuk është bërë njoftimi sipas ligjit për Berishën ndërsa Homplan nuk ka asnjë përfaqësues ligjor. Ndërkohë, mungonte edhe Fatmir Bektashi i cili mungonte për arsye shëndetësore. Trupa gjykuese vendosi shtyrjen e seancës më datë 21 korrik ora 10:30.
Nis përballja me drejtësinë për aferën Partizani, Berisha nuk paraqitet në seancën e parë në GJKKO
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të përballet me drejtësinë për aferën Partizani, nuk do të paraqitet në seancën në GJKKO. Në seancë i pranishëm do jetë vetëm avokati i tij, Genc Gjokutaj.
Afera Partizani/ Kërkoi revokimin e masës arrest në shtëpi, GJKKO shtyn më datë 7 korrik seancën për Jamarbër Malltezin
GJKKO ka shtyrë më datë 7 korrik seancën për Jamarbër Malltezin, i cili kërkoi revokim të masës arrest shtëpie për aferën Partizani.
Seanca është shtyrë pasi ende nuk ka një vendimarrje, mbi kërkesën e gjyqtares Elsa Ulliri për t’u dorëhequr nga gjyqi për dosjen Partizani.
Gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri.
Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Në orën 10:00 nis seanca në themel ku pritet të mësohet edhe vendimmarrja mbi kërkesën e gjyqtares. Nuk dihet nëse është pranuar apo jo kërkesa.