Një zjarr po përhapet pranë kufirit me Greqinë. Qendra e Menaxhimit të Krizave thotë se zjarri po zhvillohet në terren të paarritshëm dhe të vështirë dhe se situata është e rrezikshme sepse dëgjohen krisma municionesh dhe ka raportime për predha të pashpërthyera në zonë.
“Zjarri që filloi më 28.06.2025 në territorin e fshatit Beshishte, pranë kufirit me Republikën e Greqisë, është ende aktiv. Po digjet bar i thatë dhe pjesë me pyll me pisha, dushk dhe ah. Zjarri është aktiv në dy drejtime: në vendin e quajtur Urov, në territorin e fshatit Beshishte dhe në drejtim të fshatit Gradeshnica, komuna Novaci”, thonë nga QMK.
QMK shton se zjarri po përhapet drejt kufirit me Greqinë. Në terren ndërhyjnë:
5 zjarrfikës me 1 automjet nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve Prilep
3 persona nga Ndërmarrja Pyjore “Crn Bor” – Prilep me 1 automjet të pajisur me pompë.
Zjarri po zhvillohet në terren të paarritshëm dhe të vështirë. Është djegur një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh me pyll pishe, dushku dhe ahu.
Situata është e rrezikshme sepse:
-dëgjohen krisma nga municioni
-ka të dhëna për granata të pashpërthyera në zonë.
“Për ngjarjen janë njoftuar të gjitha shërbimet kompetente, ndër to: Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza Prilep, Komuna Prilep, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim Prilep, Policia Prilep, Policia Novaci, Ndërmarrja Pyjore “Kajmakçalan” nga Bitola, Njësia e Zjarrfikësve Bitola dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim Manatir. Është njoftuar edhe një inspektor nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Nga ana tjetër për zjarrin në Shkup (Vizbeg), QMK thotë se janë njoftuar nga Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit se zjarri në deponinë ilegale në rrugën Vizbeg, në komunën Shuto Orizari, ende digjet nga brenda, por është vënë nën kontroll.