Dita e dytë e rinumërimit të Fierit, hapja e 40% të kutive ‘zbeh’ shpresat e Lapajt për t’i marrë mandatin PS! PD ka humbur 71 vota, socialistëve iu shtohen 25
Ashtu si me Tiranën edhe rinumërimi i qarkut të Fierit nuk ka sjellë deri më tani surpriza. Kur janë rinumëruar rreth 40% e kutive, gabimet janë të vogla dhe njerëzore.
Dita e dytë e rinumërimit të Fierit, hapja e 40% të kutive ‘zbeh’ shpresat e Lapajt për t’i marrë mandatin PS! PD ka humbur 71 vota, socialistëve iu shtohen 25Foto ilustruese
Sot dita e dytë e rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun Fier. Një ditë më parë, në ditën e parë të procesit, u rihapën 233 kuti nga 587 në total, ndërsa sot do të vijohet me 354 kutitë e mbetura.
Deri tani, të dhënat nga kutitë e hapura nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në ndarjen e mandateve për qarkun e Fierit. Ashtu sikurse në qarkun e Tiranës, janë konstatuar parregullsi por pa ndikim në rezultate.
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet shpreson që të marrë 519 votat e nevojshme për t’i marrë mandatin PS-së dhe të fusë në Kuvend kandidatin Azmer Duleviç. Por, zhvillimet deri tani nuk i kanë shkuar në favor. Pas rinumërimit të rreth 40% të kutive, jo vetëm që koalicioni nuk ka arritur të rikuperojë ndonjë diferencë, por ka humbur edhe 4 vota në raport me rezultatin paraprak. Ndërkohë, PS ka përfituar 25 vota, të hequra nga 11 maji.
PD rezulton se ka marrë 71 vota pa meritë deri më tani. Humbje të vogla kanë pësuar edhe parti të vogla si Lëvizja Bashkë 4 vota, 3 Koalicioni Djathtas për Zhvillim. Përveç PS-së, që i shtohen disa vota, edhe partisë Mundësia i shtohen 3 vota, që i janë hequr nga numërimi fillestar.
Sa i përket kandidatëve, duket se lufta zhvillohet vetëm brenda PS, ku Zegjine Çaushi fitoi me 64 vota diferencë kundrejt Maldrita Bardhos. Por rinumërimi i deritanishëm ka thelluar diferencën në favor të Çaushit, pasi Bardho ka humbur 39 vota, ndërkohë që Çaushit i janë shtuar 5 vota