Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Adrian Bajrami do ta vazhdojë karrierën në Superligën e Zvicrës. Sipas asaj që raporton prestigjiozja portugeze ‘A Bola’, 23-vjeçari është huazuar nga Benfica te FC Luzern për sezonin 2025-26.
Benfica i ka vendosur Bajramit klauzolën e 5 milionë eurove nëse Luzern dëshiron ta blejë, duke shtuar edhe një pikë për riblerjen, për mos e humbur Bajramin që mbajti edhe shiritin e kapitenit në ekipin B.
Ky vendim vjen në një moment kyç për karrierën e Bajramit, i cili sezonin e kaluar regjistroi vetëm tetë paraqitje me ekipin e parë të Benficas. Huazimi synon t’i sigurojë mbrojtësit shqiptar më shumë minuta aktivizimi dhe vazhdimësi në lojë.
Pavarësisht hapësirës së kufizuar, Bajrami ishte pjesë e skuadrës së Benficas në Botërorin e Klubeve, ku u aktivizua si zëvendësues në ndeshjet kundër Auckland City dhe Bayern Munich, duke fituar përvojë të vlefshme në arenën ndërkombëtare.
Transferimi te Luzern mund të jetë një mundësi e mirë për Bajramin që të riafirmojë veten dhe të fitojë formë të rregullt para ndeshjeve të rëndësishme me Kombëtaren në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.