Ndryshime të rëndësishme të shefave të komisariateve u firmosën sërish me urdhër të kryepolicit Ilir Proda.Pothuajse të gjitha komisariatet e vendit kanë shefa të rinj.
Kështu Edjona Dano është emëruar shefja e re e Komisariatit të Policisë në Kuçovë. Dano ishte e vetmja grua që garoi për shef komisariati dhe u shpall në listën fituese, si dhe u kualifikua fituese edhe në mesin e 290 garuesve që synonin në fund të vitit të kaluar për të qenë shefa komisariatesh.
Së fundmi Dano mbante detyrën e Shefes së Seksionit për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës. Ndërsa më herët ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë.
Ky është emërimi i dytë në historinë 35-vjeçare të emërimit të një gruaje në krye të një komisariati. Anila Popa ka shërbyer në komisariatin e Librazhdit për disa muaj në vitin 2016.
Emërimet e tjera të bëra nga kryepolici Ilir Proda:
-Kleant Serdari është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Mallakastër
-Bledar Metaj Shef Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë
-Florian Dano shef i Policisë Kufitare Dibër
-Elvid Shehu në Komisariatin e policisë kufitare Sarandë
-Ferit Merkaj në Himarë
-Kliton Zharri në Cërrik
-Ajet Bega në Kurbin
-Leonard Ndreka në Gramsh
-Krenar Guçe, zv/drejtor për krimet në Policinë e Elbasanit
G-entian Dedej në Pogradec
Një ditë më parë ndodhi rokadë në Komisariatin nr. 1 dhe 7., ku Robert Losha, i cili prej fundvitit të kaluar mbante detyrën e shefit të Komisariatit nr. 1, shkoi në Vorë (Komisariati nr. 7), ndërsa vendin e tij, në atë që konsiderohet komisariati kryesor i Tiranës, e zuri Elton Shahini, së fundi shef i Vorës.