Albers Keko është shqetësimi më i madh që ka Partizani aktualisht. Sulmuesi i “Demave” u dëmtua në pjesën e parë të ndeshjes me Kaljun, ndërsa detaje të reja janë zbuluar. “Panorama Sport” mëson se dëmtimi është i rëndë dhe Keko rrezikon operimin në gju.
Për këtë, do të jetë edhe një tjetër rezonancë sot, e cila do të vendosë përfundimisht. Keko mund të qëndrojë deri në gjashtë muaj jashtë fushës së blertë, duke i mohuar pjesën e parë të sezonit.
EPISODI- Ishte minuta e 31-të e ndeshjes, kur Keko u dëmtua për shkak të një ndërhyrjeje nga lojtari kundërshtar. Menjëherë u thirr stafi mjekësor, që kuptoi situatën dhe sinjalizoi për zëvendësim. Himallari filloi nxemjen, ndërsa Keko provoi edhe njëherë të qëndronte në lojë. Ishte e pamundur për të, pasi vazhdonte të çalonte. Kështu, Himallari u aktivizua. Keko u largua në lot, teksa për të nevojitej barelë dhe ishte minuta e 36-të.