Aktakuza për aksidentin fatal që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Puls” të Koçanit është më shumë sesa thjesht një dokument juridik. Është një kronologji e mosfunksionimit të një sistemi të tërë, i cili rezultoi me 62 vdekje dhe mbi 220 të plagosur. Midis tyre ishin edhe 20 fëmijë, shkruan Prizma.
Aktakuza tregon se zjarri në Koçan ishte një katastrofë e parashikueshme.
Ka qenë vetëm çështje kohe para se të arrinin për tu paguar 13 vitet e lëshimeve sistemike, mosveprimeve dhe korrupsionit. E gjithë kjo përshkruhet në detaje në 166 faqe të aktakuzës, e cila është nënshkruar nga prokurori i Koçanit, Borçe Janev, një nga trembëdhjetë prokurorët që punuan në këtë çështje.
Gjëja e parë që të bën përshtypje në lidhje me aktakuzën e siguruar nga BIRN është se ky do të jetë një gjykim i gjatë dhe i vështirë. Janë 34 të pandehur dhe tre kompani, por edhe një sasi shumë voluminoze provash – mbi 1.440 prova dhe një numër i madh dëshmitarësh-të dëmtuarish të propozuar – 283 – për t’u marrë në pyetje.
Disa nga avokatët që i mbrojnë të pandehurit komentuan publikisht se presin një maratonë gjyqësore të ngjashme me mega-lëndën “Syri i Gjarprit”, për mashtrim me taksat rrugore, e cila zgjati pothuajse dy dekada dhe përfundoi në mënyrë të palavdishme.
Prokuroria i trajton të gjithë të pandehurit si bashkë-autorë, gjë që nënkupton se ata kanë vepruar me qëllim të përbashkët, edhe pse veprimet, gjegjësisht mosveprimet e të pandehurve, kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore.
Prokuroria i akuzon të gjithë të pandehurit për të njëjtën vepër penale të “krimeve të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, edhe atë për nenin që i referohet mosveprimit të personave zyrtarë në fushën e parandalimit të aksidenteve.
Në konferencën për shtyp ku prezantoi aktakuzën, Prokurori i Shtetit Ljupço Kocevski, kur u pyet nga BIRN pse zyrtarët shtetërorë nuk po akuzohen për veprime të kryera gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, u përgjigj se në rastin e tyre, “pasoja nuk ishte vdekja”.
Me fjalë të tjera, ministrat dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar akuzohen drejtpërdrejt për vdekjen e të rinjve.
Atyre u kanoset burgim nga tre deri në 20 vjet. Gjithashtu të akuzuar janë edhe kompania pronare e diskotekës, si dhe kompania e sigurisë dhe shoqëria e projektimit.
Aktakuza është një nga të rrallat në praktikën prokuroriale që mbulon një periudhë jashtëzakonisht të gjatë veprimesh prej 13 vitesh. Prokurori i shtetit e quajti atë “kauzalitet afatgjatë”. Kjo është hera e parë që është ndërtuar një teori e tillë e një çështjeje, që nënkupton kërkimin e përgjegjësisë penale për një periudhë kaq të gjatë.
Pothuajse çdo faqe e aktakuzës pretendon të njëjtën gjë – zyrtarët në institucione dështuan të kryenin mbikëqyrje dhe kontrolle, dhe kështu, me vite neglizhence, ndodhën pasoja katastrofike.
Në tre muajt që zgjati hetimi, 13 prokurorë mblodhën prova në një listë prej 120 faqesh. Ajo përmban nga CD me video të koncertit të bendit DNK, fotografi, ekspertiza, urdhra dhe procesverbale të ndryshme, deri te komunikimi midis të pandehurve dhe fatura për blerjen e sfungjerëve që janë vendosur si izolim akustik në diskotekë.
Ndër provat janë edhe licencat kontestuese, si dhe një zarf me 140 bileta për hyrje në diskotekë, skicat për vetë objektin, vërtetime, aplikime, leje…
Procesverbale nga viti 2012
I akuzuari i parë, sipas aktakuzës, është 53-vjeçari Dejan Jovanov nga Koçani, hotelier me arsim të mesëm elektro, i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Jovanov është themelues dhe pronar i kompanisë “Klasik DM”, dhe për një periudhë ai ka qenë edhe menaxher i degës së kësaj kompanie, kabaresë “Puls”.
Ai e ka marrë licencën e parë për diskotekën në vitin 2012. Më 1 dhjetor të vitit 2012 ai ka nënshkruar një marrëveshje qiraje me pronarin e objektit, Grozdan Millkovski, ndërsa pas 12 ditësh ai ka filluar me punë edhe pse objekti nuk i ka plotësuar kushtet minimale teknike për aktivitete hotelierike.
Objekti, i cili ka 415 metra katrorë është rindërtuar ilegalisht dy herë. Një herë në vitin 2012 dhe herën e dytë në vitin 2024. Adaptimi është bërë pa plan vlerësimi të rrezikut dhe pa plan mbrojtjeje dhe shpëtimi.
Nëse ndërtesa ishte rindërtuar dhe adaptuar sipas rregulloreve, atëherë duhej të ishin instaluar mure me xham dhe mure me blloqe qeramike.
Struktura e çelikut duhej të lyhej me një material të veçantë rezistent ndaj zjarrit, pjesa e brendshme duhej të ndahej në të ashtuquajturit sektorë zjarri, duhej të kishte një rrjet hidrantësh, alarme zjarri, detektorë tymi dhe temperature, dyert duhej të kishin një sistem automatik frenimi që do t’i linte ato të hapura drejt daljes, duhej të kishte një zgjidhje trafiku për hyrjen e kamionëve të zjarrfikësve…
Por në objekt nuk ka pasur asgjë nga këto.
Ndër lëshimet e para që çuan në shndërrimin e “Puls” në një kërcënim vdekjeprurës janë raportet e inspektorëve të tregut nga viti 2012. Në vend që ta refuzonin atë sepse diskoteka nuk i plotësonte kushtet, inspektorët e akuzuar kanë shkruar se diskoteka kishte një numër të mjaftueshëm daljesh dhe ventilimi.
Një inspektim tjetër është kryer në vitin 2018, ku është konstatuar përsëri se diskoteka i plotësonte të gjitha kushtet. Një inspektim tjetër ka pasuar në vitin 2021, kur Jovanov nuk ka pasur licencë.
Prokuroria akuzon edhe Millka Edrovskën, pronare të firmës së projektimit “Venci Proekt”, sepse në vitin 2012, edhe pse e ka ditur se në atë vend nuk mund të kishte diskotekë dhe se objekti nuk i plotësonte kushtet, ka përgatitur një projekt bazë.
Sipas aktakuzës, ajo ka bërë të njëjtën gjë në vitin 2023, pa shqyrtuar dokumentacionin ose pa kryer një kontroll në teren. Ajo ka përdorur dokumentin e vitit 2012 si shabllon, duke ndryshuar vetëm faqen e titullit dhe duke futur një numër tjetër.
Prokuroria akuzoi gjithashtu tre inspektorë ndërtimi nga Koçani. Ata duhej të kryenin inspektime sepse objekti ishte adaptuar.
Të tre ish-kryetarët e Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski, Nikollço Iliev dhe Ljupço Papazov, gjithashtudo të ulen në bankën e të akuzuarve me inspektorët lokalë. Ata akuzohen se nuk u kanë dhënë urdhër inspektorëve të ndërtimit të kryejnë mbikëqyrje, edhe pse e kanë ditur se diskoteka po funksiononte sepse në llogarinë e komunës depozitoheshin nga 2.000 euro nga ana e diskotekës.
Drejtori i Agjencisë së sigurimit “Rubikon”, Jane Jançevski, dhe katër punonjës të tjerë akuzohen se nuk kanë kryer vlerësim sigurie dhe nuk i kanë kontrolluar hyrjet dhe daljet, si dhe nivelin e mbipopullimit në diskotekë.
Zinxhiri i përgjegjësisë përfshin edhe drejtorin aktual të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, dhe paraardhësit e tij, Adnan Xhaferovski, Bekim Maksuti dhe Xhevat Selami. Ata akuzohen se nuk kanë dërguar inspektor për mbrojtje dhe shpëtim në Koçan, ku nuk ka pasur inspektor që nga viti 2012. Inspektori në këtë institucion, Ljupço Grnçishtanov, nga ana tjetër akuzohet për “moskoordinim dhe mosorganizim të punës së shërbimit të inspektimit”.
Licenca për ryshfet prej 200 deri në 3.600 euro
Të akuzuarit për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Burimi: Prizma. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Të akuzuarit për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Burimi: Prizma. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Një nga pjesët më ilustruese të aktakuzës, e cila konfirmon se bëhet fjalë për korrupsion, lidhet me punonjësit e Ministrisë së Ekonomisë, si një institucion kyç për licencimin e diskotekës.
Zyrtari i akuzuar në Ministrinë e Ekonomisë, Xhevair Kamberi, në vitin 2019 ka kërkuar dhe ka marrë drejtpërdrejt 200 euro nga Dejan Jovanov në llogarinë e tij bankare pa zhvilluar një procedurë ligjore për marrjen e licencës për aktivitete hotelierike.
E njëjta gjë ka ndodhur përsëri në vitin 2024. Atëherë ryshfeti ka qenë më i madh. Në Ministrinë e Ekonomisë, Jovanov i ka dhënë Kamberit 226.000 denarë në para të gatshme, ose rreth 3.600 euro. Në këmbim ai ka marrë një licencë të falsifikuar në të cilën Kamberi “është nënshkruar me dorë, sikur të kishte nënshkruar e pandehura Razmena Çekiç-Duroviq”.
Dokumenti ka qenë i vërtetuar me një vulë zyrtare sikur të ishte lëshuar nga Ministria e Ekonomisë.
Kamberi është i vetmi që, përveç krimeve të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, akuzohet edhe për falsifikim të një dokumenti zyrtar dhe pranim të ryshfetit.
Dy ish-ministrat e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, sekretarja e shtetit, Razmena Çekiq-Duroviq, dhe pesë zyrtarë akuzohen për lëshimin e licencave për diskotekën, e cila nuk plotësonte kushtet minimale teknike. Bekteshi dhe Saraçini nuk kanë iniciuar një inspektim të jashtëzakonshëm për të kontrolluar kushtet e funksionimit të diskotekës.
Në kërkesat për marrjen e licencës që i janë dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë, seksionet që lidhen me përmbushjen e kushteve minimale teknike nuk janë plotësuar, ndërsa diku të dhënat e futura kanë qenë të pasakta. Për shembull, në seksionin për shërbimin është shkruar se ishte 300 metra katrorë, gjë që nuk korrespondonte me sipërfaqen e objektit.
Edhe katër zyrtarë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut akuzohen sepse nuk kanë shqiptuar një ndalim për kryerjen e veprimtarisë në vitin 2021 kurkanë konstatuar se objekti nuk ka licencë.
Disa minuta për katastrofë
Dy orë e gjysmë para se të shpërthente zjarri, vokalisti Vlladimir Bllazhev – Panço, i cili është ende duke u mjekuar, së bashku me Martin Atanasovski–Buco, tashmë i ndjerë, kanë vendosur tre nga pajisjet piroskenike, të ashtuquajturat “shatërvane piroteknike” në tre pajisje bazë që aktivizohen njëkohësisht me një antenë teleskopike.
Piroteknika, sipas aktakuzës, është importuar nga kompania bullgare “Tropik 2000 EOD Sofia“.
Të pandehurit nuk kishin leje për lëndë shpërthyese, por pavarësisht kësaj, i ndjeri Atanasovski-Buco i ka sjellur ato në diskotekë, ndërsa rojet e sigurisë nuk e kanë ndaluar.
“Pas fillimit të performancës së grupit muzikor DNK rreth orës 02:32 më 16.03.2025, si pjesë e efekteve vizuale skenike të përcaktuara paraprakisht, të cilat kanë filluar gjatë performancës së këngës ‘Sto saka neka bide’”, tashmë i ndjeri Martin Atanasovski-Buco i ka aktivizuar shatërvanët piroteknikë me telekomandë”, thuhet në aktakuzë.
Në diskotekë ka pasur 672 persona. Zjarri është përhapur spontanisht me shumë tym dhe temperaturë të lartë. Pastaj ka pasur një panik masiv dhe të pakontrolluar.
Hetimi është ende duke vazhduar për vokalistin e grupit DNK, Vlladimir Bllazhev Panço, dhe pronarin e Agjencisë “Rubikon”, Aleksandar Nacev.
Vendi nga ku duhej të largoheshin, pra dalja e vetme, në fakt ka qenë një pengesë për të pranishmit. Krahas dyerve të dyfishta, të cilat nuk kanë qenë mjaftueshëm të gjera, duhej të kishte të paktën tre të tjera.
Aktakuza prej 12 faqesh përshkruan terrorin dhe vuajtjet e viktimave. Mbi 50 prej të ndjerëve janë mbytur nga monoksidi i karbonit, gjashtë fëmijë janë mbytur për shkak të presionit në gjoks dhe të tjerë kanë pasur dëmtime termike në traktin e sipërm respirator.
Djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, mavijosje, brinjë të thyera, shikim i dëmtuar, acidifikim të gjakut nga thithja të monoksidit të karbonit… Këto përshkrime të lëndimeve paraprihen nga emrat e të lënduarve, të cilët morën pjesë në koncertin në natën fatale.
Një muaj e gjysmë pas ngritjes gjykata ende nuk ka vlerësuar nëse aktakuza ka ndonjë të metë ligjore. Kjo pjesërisht për shkak të periudhës së gjatë kohore që u desh për të përcaktuar se cila gjykatë do të kishte juridiksion, pasi gjykata e Koçanit nuk ka as gjykatës të mjaftueshëm dhe as burime të mjaftueshme.
Sipas informacionit të ofruar nga BIRN, disa nga gjykatësit në Gjykatën Penale në Shkup, ku do të gjykohet çështja, kanë kërkuar përjashtim për shkak të afërsisë së tyre me palët e dëmtuara.
Disa nga avokatët që i mbrojnë të pandehurit kanë reaguar publikisht se e kanë marrë aktakuzën me vonesë ose nuk e kanë marrë ende. Pasi të kenë marrë aktakuzën, ata kanë tetë ditë për të kundërshtuar. Pas vlerësimit të aktakuzës dhe vlefshmërisë së saj ligjore, do të caktohet seanca e parë dëgjimore.
Informacioni i BIRN nga Gjykata Penale tregon se është e sigurt që gjykimi do të zhvillohet në sallën e madhe të gjyqit në Burgun e Idrizovës.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.