Flakët janë riaktivizuar mbrëmjen e sotme në zonën e Bilishtit, duke krijuar një situatë kritike. Flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat përreth qytetit dhe kanë zbritur deri në rrugën nacionale që të çon drejt doganës së Kapshticës.
Shtabi i Emergjencave njofton se vatrat e zjarrit janë riaktivizuar në orët e mbrëmjes, ndërsa kushtet në terren janë tepër të vështira për ndërhyrje. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë dhe për momentin është jashtë kontrollit.
Zjarri është rikativizuar rreth orës 23.30.
Në rrugën nacionale nuk janë parë qytetarë, ndërsa një mjet zjarrfikës që tentoi të afrohej është detyruar të tërhiqet për shkak të rrezikut të lartë. Situata mbetet e rënduar dhe strukturat përgjegjëse po e ndjekin nga afër zhvillimin e flakëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare, pasi çdo ndërhyrje aktualisht është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe intensitetit të flakëve.