Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një video nga Thethi pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje.
“Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë”, shkruan Rama.
Kujtojmë se operacioni i IKMT-së për prishjen e godinave pa leje u mbyll më 15 korrik. Gjatë aksionit njëjavor u shembën rreth 100 ndërtesa pa leje të ngritura në një zonë të mbrojtur.
Gjithçka nisi nga ky kompleks në qendër të fshatit, që u denoncua edhe nga kryeministri Edi Rama. Ai akuzoi edhe prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, se nuk hetoi shkeljen e ligjit edhe pse kishte marrë një referim nga policia.
Nuk munguan as tensionet në momente të caktuara, pasi një pjesë e banorëve kërkonin më shumë kohë. Ndërsa persona të paidentifikuar sulmuan me molotov forcat e IKMT-së dhe policisë.
Ndërkohë në terren vijoi puna për heqjen e inerteve, për kthimin e zonës sa më atraktive për turistët e shumtë të zonës.