Për vitin e tretë radhazi, Pogradeci u kthye në skenë të gëzueshme për më të vegjlit, teksa mbi 80 foshnja garuan në “Maratonën e Bebeve”, një aktivitet që tashmë është bërë traditë në qytetin buzë liqenit. Gara u zhvillua në dy kategori – këmbadorazi dhe me ecje, duke ofruar një pamje të rrallë ku energjia e pastër e fëmijëve u shndërrua në festë.
Të shoqëruar nga prindër e gjyshër, vogëlushët dhuruan spektakël në skenën e Odeonit të qytetit, ndërsa rrugëtimi nga starti deri në finish u shoqërua me shumë emocione. Në vijën e mbërritjes, prindërit nuk ngurruan të tundnin lodrat e preferuara të fëmijëve për t’i nxitur drejt fitores.
“Maratona e Bebeve” është një prej aktiviteteve unike në rang kombëtar që mbledh bashkë foshnja nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe i paraprin maratonës ndërkombëtare të vrapit “Enkelana”. Të gjithë pjesëmarrësit u vlerësuan me medalje, ndërsa fituesit e vendeve të para morën kupa dhe një sërë dhuratash, duke e kthyer këtë ditë në një kujtim të paharruar për familjet e tyre.