Vatra në Delvinë, e cila dje doli jashtë kontrollit, mbetet aktive dhe është përhapur edhe midis fshatrave Borsh dhe Piqeras. Aktive vijon të jetë edhe vatra në malin e Dukatit, që po digjet prej ditësh. Forcat zjarrfikëse janë në terren ndërsa po punojnë edhe me mjete rrethanore për të shuar flakët.
Në Delvinë, vazhdojnë flakët në fshatrat Kalas, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçës dhe Palavli, ku në terren ndodhen 100 forca. Ndërsa në Ploç të bashkisë së Selenicës ka përhapje në Velç, Ramicë, Verbas dhe Matogjin. Terreni i vështirë ka penguar punën e forcave zjarrfikëse dhe të tjera ndërsa është kërkuar ndërhyrje nga ajri.
Aktualisht raportohet për 13 vatra aktive në vend, të cilat, sipas ministrisë së Mbrojtjes, po monitorohen me dronët Bayraktar TB2.
Në Delvinë, flakët jashtë kontrollit në tre fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, dhe u urdhërua evakuimi i banorëve. Sipas ministrisë, nga zjarri u prekën 10 banesa. Gjatë operacionit pati djegie Shefi Komisariatit Delvinë, Agim Troci, si dhe 5 persona patën probleme nga asfiksia. Sot po vazhdon puna nga forcat operacionale.
Në Liqenin e Luleve në Lurë të Dibrës, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, zjarri ka përshkuar mbi 350 ha sipërfaqe. Aktualisht po punohet nga forcat Operacionale. Problematike situata paraqitet edhe në Zall Gjoçaj të bashkisë Mat, ku zjarri po zhvillohet me një shtrirje mbi 13 km, në tre kahe. Në njërin kah po zhvillohet nga Masdeja, ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje. Në tjetrin, në vendin e quajtur Qafa e Tolle, rrezikohet një banesë, si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe, rrezikohen tre banesa.
Një vatër aktive është edhe në Tiranë, në Malin me Gropa në vendin e quajtur Fusha e Stanëve. Në total nga zjarret në vend janë djegur mbi 450 hektarë sipërfaqe me bimësi, rrënjë ullinj e pemë.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës për Report TV: Aktive vatra e zjarrit në Skërficë, tuneli është i aksesueshëm! Dje u dëmtuan 5 banesa
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara thotë se po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët në fshatrat e Delvinës. Ai tha se aktive mbetet edhe vatra mbi tunelin e Skërficës, por shtoi se nuk paraqet problematikë për mbylljen e tunelit.
“Jemi në Palavli. Kemi punuar gjatë gjithë natës për lokalizimin e vatrës së zjarrit. Prej dje kanë qenë mbi 60 forca zjarrfikëse të Emergjencave Civile, vullnetarë nga Bashkia. Kemi pasur mbështetje nga të gjitha strukturat, kemi punuar përgjatë ditës dhe natës për ta mbajtur zjarrin në kontroll pasi vatrat kanë qenë shumë të shtrira thuajse në të gjithë Njësinë Administrative Vergo. Vazhdon vatra e zjarrrit mbi tunelin e Skërficës. Gjatë kësaj kohe jemi në terren. Momentalisht nuk është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, helikopteri do të monitotojë ku të jetë e nevojshme.”, u shpreh Cara.
Sipas tij, nga flakët e djeshme në fshatrat e Delvinës, u dëmtuan 4-5 shtëpi të pabanuara, një kishë, si dhe pyje, pemëtari e kullota.
“Kemi pasur dëme në pemëtari, pyje, shkurre e kullota. Janë dëmtuar 4-5 banesa të mbyllura. Një kishë në Vergo.”, shtoi Cara.
“Tuneli është i aksesueshëm, nuk është i nevojshëm që të mbyllet pasi krijon një kolaps trafiku rrugor por për momentin po mbahet nën kontroll nga zjarrfikësit.”
Apeloi edhe qytetarët që të bëjnë kujdes dhe të lajmërojnë në kohë autoritetet për vatrat e mundshme të zjarrit.
“Qytetarët të kenë kujdes vatrat e zjarrit janë edhe akdidentale por ka edhe të qëllimshme. Sa i përket ndërhyrjes jemi në terren në 24 orë.”
Zjarret/ Ministri Vengu dhe prefektja e Beratit Valbona Zylyftari monitorojnë situatën nga afër në Mbreshtan dhe Paftal
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe prefektja e qarkut të Beratit, Valbona Zylyftari ndoqën nga afër situatën nga zjarret në Mbreshtan dhe Paftal.
Efektivët e Forcave të Armatosura dhe forcat zjarrfikëse vijojnë angazhimin për përballimin e flakëve të zjarrit, të mbështetur nga ajri nga helikopterët hungarezë.
Riaktivizohet zjarri në malin e Shpiragut
Zjarri në malin e Shpiragut në Berat është riaktivizuar paraditen e kësaj të shtune, ku situata vijon të mbetet problematike.
Që prej ditës së djeshme me dhjetëra forca zjarrfikëse me mbi 30 mjete po luftojnë me flakët ndërsa në ndihmë të tyre kanë shkuar dhe forcat e ushtrisë dhe dy helikopterë të ushtrisë.
Situata problematike mbetet ende në fshatin Galinë dhe Paftal ku zjarri rrezikon banesat e fshatit.
Mëngjesin e sotëm në Shpirag ka qenë i pranishëm ka qënë dhe ministri Pirro Vengu dhe të gjithë drejtuesit vendor të Beratit.
Zjarret në Delvinë, shërbimi shëndetësor në gatishmëri
Pjesë e Komisionit të Mbrojtjes Civile në qarkun Vlorë është edhe shërbimi shëndetësor i Spitalit Ditor të Delvinës, si dhe pesë qendrat shëndetësore të kësaj zone. Në ndihmë janë autoambulancat nga Saranda dhe Gjirokastra, së bashku me staf mbështetës, për të qenë pranë situatës në terren.
Mjekët dhe infermierët ofrojnë ndihmë të menjëhershme për qytetarë dhe efektivë të forcave zjarrfikëse që shfaqin probleme me asfiksinë për shkak të tymit të dendur, si dhe për personat që kanë nevojë për trajtim më të specializuar në spital.
Edhe sot, stafi mjekësor qëndron në gatishmëri të plotë, derisa situata e krijuar nga zjarret të stabilizohet plotësisht.
Ministria e Mbrojtjes: Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 29 vatra zjarri, 13 vatra ende aktive! Ku paraqitet situata më problematike
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 29 vatra zjarri, prej të cilave 13 vazhdojnë të jenë aktive dhe 6 në monitorim. Ministria e Mbrojtjes njofton se zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme në qarqet Vlorë, Delvinë, Selenicë, Gjirokastër, Dibër, Mat, Bulqizë, Elbasan, Lezhë, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Berat, Poliçan, Kukës, Tiranë dhe Fier.
Në qarkun e Vlorës, zjarri po digjet në zonën e “Majës së Paliskës” mbi fshatin Dukat, ku flakët janë kryesisht brenda trungjeve dhe po mbahen nën monitorim. Në qarkun e Delvinës, zjarri është aktiv në lartësitë e fshatit Kalasë në njësinë administrative Vergo, ku ka përfshirë edhe disa banesa dhe operacionet po vazhdojnë me ndihmën e forcave dhe helikopterëve. Në Selenicë, në fshatin Ploç dhe zonat përreth, zjarri shtrihet në një sipërfaqe të madhe në kodra, por terreni i vështirë po kufizon ndërhyrjen nga toka dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Në Gjirokastër, zjarri pranë fshatit Fushëbardhë, afër tunelit të Skërficës, vazhdon të jetë aktiv dhe po punohet për shuarjen e tij. Në Dibër, në Parkun Kombëtar Lurë, zjarri ka përfshirë mbi 350 hektarë dhe forcat operacionale po përpiqen ta shuajnë. Në Mat, në fshatin Zall Gjoçaj, zjarri po zhvillohet në një perimetër të gjerë dhe rrezikon disa banesa, ndërsa ndërhyrja bëhet edhe me helikopterë.
Në Bulqizë, zjarri në Livadhet e Peladhisë dhe fshatin Krajkë vazhdon, por me intensitet të ulët dhe po mbahet nën kontroll. Zjarri ka përshkuar mbi 40 ha sipërfaqe. Në Elbasan, zjarri në fshatin Lugaxhi po punohet për shuarje, ndërsa në Lezhë, në zonën e Shkopetit, zjarri është aktiv, por pa rrezik për banesat.
Në Korçë, vatrat në fshatin Dishnicë dhe zonën Trestenik-Vishocicë mbeten aktive, por nën monitorim për shkak të erës që mund të përhapë flakët. Në Maliq, në fshatin Strelcë, zjarri vijon të përparojë në drejtim të veriut, ndërsa në Pogradec, në fshatin Kriçkovë, po punohet për shuarjen e tij.
Në Kukës, në Grykën e Motinës mbi fshatin Dragobi, zjarri është aktiv në një terren të vështirë dhe po punohet për izolimin e tij. Në Tiranë, në Malin me Gropa në zonën “Fusha e Stanëve”, zjarri vazhdon dhe po kontrollohet nga forcat operacionale.
U dogj gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në Delvinë, transportohet në Tiranë 42-vjeçari
Është transportuar me ambulancë mbrëmjen e djeshme drejt Spitalit të Traumës në Tiranë edhe personi i dytë që pësoi djegie nga zjarri në fshatin Kopaçëz të Delvinës.
42-vjeçari Apostol Zhupa ishte mes banorëve të fshatit që përpiqeshin për të shuar zjarrin e rënë. Ai ka pësuar djegie, kryesisht në gjoks dhe në shpatulla.
Pas ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës, mbrëmjen e të premtes u dërgua me ambulanca drejt Tiranës.
Shqipëria ngre në fluturim dronët Bayraktar, monitoron vatrat e zjarrit në vend
Shqipëria ka ngritur në fluturim dronët Bayraktar TB2 për të monitoruar situatën nga zjarret në të gjithë vendin.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka publikuar pamjet që kanë ardhur nga dronët Bayraktar pas monitorimit në 18 vatra zjarri aktive në rang vendi.
“Që në orët e para të mëngjesit, dronët Bayrakatar TB2 të Forca Ajrore kanë realizuar fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut. Ekuipazhet e Forcave Ajrore dhe efektivët e Forcave te Armatosura në terren në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territor, me përparësi në zonat e banuara”, thotë ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Vatrat e zjarrit janë aktive nga Tropoja në Gjirokastër. Situata më e rëndë ishte ditën e premte në zonën e Delvinës, ku për shkak të flakëve intensive, u urdhërua evakuimi i 3 fshatrave të zonës.
Delvinë/ Zjarri në Vergo vijon të jetë aktiv në lartësinë e malit, digjen pyje dhe kullota
Një ditë pas situatës problematike me zjarret në Delvinë, sidomos në fshatrat Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, disa vatra vijojnë të jenë aktive edhe sot.
Në Vergo, ka disa vatra zjarri në lartësinë e malit, ku po digjen pyje dhe kullota.
Megjithatë, situata nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes urdhëroi evakuimin e të gjithë banorëve të 3 fshatrave të sipërpërmendur pasditen e së premtes, të cilët u rikthyen në banesa gjatë mbrëmjes pas tejkalimit të rrezikut.
Zjarri që ditën e djeshme ishte pranë fshatit Tatzat ka kaluar në krahun tjetër të malit në anën perëndimore, duke djegur kullota dhe shkurre. Një stan raportohet se është djegur. Zjarri aktualisht ndodhet mbi zonën e Piqerasit.
Gjirokastër/ Punohet për izolimin e një vije zjarri, forcat zjarrfikëse në terren prej orëve të para të mëngjesit
Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës, së bashku me strukturat mbështetëse, po punojnë me intensitet për izolimin e një vije zjarri mbi 10 km të gjatë.
Që prej orës 04:00 janë angazhuar 17 zjarrfikës, 32 punonjës të shërbimeve publike dhe 14 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, të ndarë mes Fushë Bardhës dhe zonës mbi tunelin e Skërficës.
Po synohet ndalimi i përhapjes së flakëve në drejtim të zonave të banuara dhe qytetit të Gjirokastrës. Autoritetet lokale vijojnë ndjekjen dhe koordinimin e situatës.
Dy vatra zjarri aktive në qarkun e Korçës, prefektura: Situata në kontroll, në terren forcat zjarrfikëse
Prefektura e Korçës njofton se janë aktive dy vatra zjarri në territorin e qarkut, konkretisht në fshatin Dishnicë të Bashkisë Korçë dhe në fshatin Strelcë të Bashkisë Maliq. Situata në të dy zonat është nën kontroll dhe forcat në terren po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.
Në Dishnicë, zjarri paraqitet me intensitet të ulët, ndërsa terreni i thyer dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar ndërhyrjen. Në këtë zonë janë angazhuar gjithsej 76 forca dhe 8 mjete, përfshirë zjarrfikës, forca ushtarake, shërbime pyjore dhe personel nga Njësia Administrative Bulgarec.
Në fshatin Strelcë të Njësisë Administrative Gorë, zjarri mbetet aktiv vetëm në vatrën veriore dhe me intensitet të ulët. Forcat e terrenit po e mbajnë situatën nën kontroll, me gjithsej 67 forca dhe 2 mjete të përfshira në operacion.
Në total, për të përballuar situatën në të dy vatrat, janë angazhuar 143 forca dhe 10 mjete.