Komuna e Tetovës nuk i tregon rezultatet e shpalljes publike me të cilën ishte paraparë ndarja e një mijë vauçerëve nga 3 mijë denarë për qytetarët të cilët mund të paguanin shlyerjen e obligimeve ndaj komunës dhe ndërmarrjeve publike, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse ka kaluar gati se një muaj që nga mbyllja e shpalljes publike për ndarjen vauçerëve për qytetarët në nevojë sociale për vitin 2025, Komuna e Tetovës nuk e jep listën se: sa qytetarë janë paraqitur në këtë thirrje, sa dhe cilët qytetarë kanë përfituar nga kjo thirrje.
Kujtojmë që më 11 qershor 2025, Komuna e Tetovës hapi thirrje publike me të cilën do të ndaheshin 1.000 vauçerë në vlerë prej 3.000 denarësh. Thirrja ishte e hapur deri më 30 qershor 2025.
Këto vauçerë mund të përdoren vetëm për shlyerjen e obligimeve ndaj Komunës së Tetovës (taksë mbi pasurinë), si dhe për pagesën e shërbimeve të ofruara nga Ndërmarrja Publike “Sharri” dhe kompania “Saubermacher”.
Për këtë ndihmë mund të aplikonin përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe pensionistët që marrin pension social.
Lidhur me këtë shpallje patën kritikuar nga BDI-ja opozitare, sipas tyre kjo është tentativë e blerjes së votës para zgjedhjeve lokale.
LEXO: 3 mijë denarë ‘ndihmë sociale’ për të shlyer borxhet ndaj Komunës së Tetovës: Kush mund të merr vauçerë?
Kujtojmë që kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.