Borshi u zgjua këtë të diel në një situatë të rrezikshme si pasojë e flakëve masive që kishin “pushtuar” vendin. Flakët në fshatin bregdetar iu afruan plazhit, ndërsa pushuesit filluan të largohen nga hotelet. 40 banorë dhe turistë që rrezikoheshin nga zjarri masiv u evakuuan. Rruga kryesore Himarë-Sarandë për disa orë ishte e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se pas situatës tejet të vështirë në Borsh dhe Lukovë situata u vu nën kontroll. Në këtë operacion janë përfshirë dy helikopterë të ushtrisë dhe një avion zjarrfikës Canadair i dërguar nga Italia në kuadër të ndihmës nga BE. Flakët në këto tre vatra kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë. Autoritetet thonë se ulja e temperaturave ka ndihmuar situatën në terren.
Në Delvinë, gjatë pasdites së sotme, zjarri ka përparuar drejt fshatit Kalasë, ku rrezikohen edhe banesat, ndërsa është duke shkuar në ndihmë edhe helikopteri. Policia ka nisur evakuuimin e banorëve gjatë pasdites së sotme.
Në Bulqizë, në zonën e Qafë Buallit, flakët janë përhapur drejt Qytetit të Vjetër, duke detyruar evakuimin e gjashtë banesave. Ndërhyrja nga ajri dhe toka po vijon me mbi 120 forca dhe 2 helikopterë. Aktualisht nuk rrezikohen zona urbane.
Situata mbetet problematike në Parkun Kombëtar të Prespës dhe në Lurë, ku flakët po përhapen në zona të mbrojtura. Zjarri është aktiv edhe në Kalasë të Delvinës dhe në malin Saraqin në Konispol, ku ndodhen mbi 40 forca zjarrfikëse.
Në zjarrin e rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës u angazhuan rreth 60 forca të strukturave operacionale, por zjarri është duke përparuar drejt vendit të quajtur Bregu i Pamjes, zonë e mbrojtur dhe pritet ndërhyrje nga ajri.
Në total janë angazhuar 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe mbi 250 forca operacionale në të gjithë vendin.
Gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur, arrestuar apo proceduar penalisht 12 persona të dyshuar si shkaktarë të zjarreve në qarqe të ndryshme, përfshirë Tiranën, Vlorën, Durrësin, Gjirokastrën dhe Fierin. Disa prej tyre kanë ndezur zjarre për pastrimin e tokave apo djegien e mbeturinave, të cilat më pas kanë dalë jashtë kontrollit. Në Malin me Gropa, u dogjën 600 hektarë brenda Parkut Kombëtar të Dajtit, ndërsa në Shashicë të Vlorës, zjarri i ndezur për pastrim u përhap drejt fshatrave përreth. Arrestime janë bërë edhe në Shijak, Kakavijë, Kaninë dhe zona të tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se situata është nën kontroll falë angazhimit të strukturave vendore, ushtrisë, policisë dhe ndihmës ndërkombëtare. Ai theksoi se pavarësisht uljes së temperaturave që ka ndihmuar në menaxhimin e flakëve, të gjitha vatrat vijojnë të monitorohen nga ajri dhe toka.
Zjarri në Delvinë, policia ka nisur evakuimin e banorëve të fshatit Kalasë
Aktualisht në këtë fshat janë vetëm 2 zjarrfikëse të Delvinës.
Delvinë/ Zjarri përparon drejt fshatit Kalasë, rrezikohen banesat, në ndihmë shkon helikopteri
Zjarret në vend, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA: Jemi në terren në disa qarqe, janë marrë masa edhe për evakuuime
‘Që në orët e para të mëngjesit jemi në zonën e Bulqizës, sepse jemi në rajonin e Qafës së Buallit ku jemi të angazhuar 35 forca pasi kemi dy vatra zjarri, njëra është këtu në Bulqizë dhe tjetra është në qafën e buallit. FA në zbatimin dhe koordinim të plotë me emergjencat civile po punojnë në gjithë qarqet e vendit. Në qarkun Dibër, jemi në Qafën e Buallit dhe Bulqizës, në Lezhë jemi në Rrëshen, në Vlorë jemi në Himarë, Piqeras dhe në Kaninë. Në Berat kemi në Galinë, në Gjirokastër në Fushë- Bardhë dhe në qarkun e Korçës jemi në Pustec. Nëse do të kërkohet evakuim janë marr masat e plota. Jemi në kordinim edhe me agjencinë e mbrojtjes civile, FA janë të angazhuar në përballimin me sukses të kësaj situate’, tha ai.
Vengu nga Vlora: Kemi një situatë më pozitive, vatrat e zjarrit po shuhen, forcat zjarrfikëse mbeten të angazhuara në terren
‘Sapo kemi përmbyllur një mbledhje të Komitetit të Emergjencave Civile në prezencë edhe të ministres së Turizmit Mirela Kumbaro në zonat e prekura orët e fundit nga zjarret në Vlorë. Jemi në një situatë ku po përpiqemi që të rikthejmë normalitetin në mbarë zonën dhe kemi një situatë shumë më pozitive qoftë në aksin Borsh- Piqeras- Lukovë dhe në lartësinë e Kaninës ku vatrat janë shuar plotësisht. Vijojmë që të jemi vigjilentë dhe të kemi trupa të angazhuar në terren, dy helikopter dhe një Canadair italian. Kemi një situatë ku forcat në tokë mbeten të angazhuar që vatrat të mos rindizen’, tha ministri.
Flakë në Markat të Konispolit, riaktivizohet vatra e zjarrit në Kalasë të Delvinës
Durrës/Shijak: Arrestohet autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, duke rrezikuar banesat përreth.
Fier: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Frakull e Vogël, si dhe procedohet penalisht një tjetër shtetas që dogji mbeturina në tokën e tij, në fshatin Stan Karbunarë, duke dëmtuar disa rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.
Vlorë: Ndalohet një shtetas për zjarrvënie të qëllimshme gjatë pastrimit të territorit, që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të madhe me bimësi në malin e Shashicës.
Sarandë: Procedohet penalisht një 59-vjeçar, për zjarrvënie në malin e Finiqit.
Gjirokastër: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Kakavijë.
Kurbin: Procedohet penalisht një shtetas që dogji një sipërfaqe në zonën e mbrojtur të Shkopetit, si pasojë e një konflikti me banorët.
Dibër: Procedohet penalisht një shtetas që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me bimësi, në fshatin Dovolan.
Shkodër: Procedohet penalisht një shtetas që ndezi mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe me bimësi.
Poliçan: Procedohet penalisht një 57-vjeçar, pasi ndezi zjarr në fshatin Lybeshë dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi, në vendin e quajtur “Berthanes”.
Belsh/Cërrik: Arrestohet në flagrancë një shtetas, pasi dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën një sipërfaqe toke me ullinj dhe një sipërfaqe pylli.
Haki Çako: Zjarret në vend në kontroll, situatë e favorshme falë ndryshimit të kohës
“Pas disa ditësh operacion, ndodhemi në bazën e Kuçovës, ku kemi pasur mundësi të falenderojmë dhe të përcjellim ekuipazhin hungarez, i cili mori pjesë prej katër ditësh në mbështetje të ekuipazheve tona për menaxhimin e zjarreve në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, situata e zjarreve është në kontroll. Kanë qenë dy ditë shumë të ngarkuara, dy ditë dhe netë, sidomos mbrëmja dhe nata ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm zjarresh, çka ka bërë të domosdoshme aktivizimin dhe organizimin e të gjithë forcave të strukturave operacionale të nivelit vendor, qendror, të forcave të armatosura të policisë së shtetit dhe gjithçka ka qenë e nevojshme, ashtu sikurse aktualisht vazhdojnë të jenë në operim në terren.
Disa nga vatrat më problematike, të cilat kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut, në disa fshatra, në qytetin e Vlorës, në Malin e Shashicës, mbi Kaninën. Po ashtu, problem ka pasur në Bulqizë. Por edhe në Brosh, edhe në Piqeras, ku ka pasur prezencë të shtuar të forcave dhe të strukturave, të cilët kanë mundur në mënyrë të jashtëzakonshme, së pari të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe vendbanimet e tyre. Kur jo në pak raste është dashur dhe ka dalë e nevojshme evakuimi i banorëve, derisa situata është normalizuar dhe është bërë rikthimi i tyre në vendbanimet e tyre.
Vlen të theksohet fakti që dita e sotme është me një përmirësim të konsiderueshëm të vatrave të zjarrit, ndonëse kemi ende një numër të madh të tyre, po monitorohen me forca të shumta. Dhe falë ndryshimit edhe të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme që shpresojmë ta menaxhojmë në nivel kombëtar pa dëme dhe rreziqe për qytetarët tanë. Jemi bashkë me komandën e bazës së farkës të aviacionit, është një falenderim i jashtëzakonshëm për komandantin, por dhe gjithë stafin e pilotëve heroikë shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë sakrifikuar gjithçka këto ditë, duke ardhur në ndihmë qytetarëve, duke mbështetur strukturat operacionale në momentet më kritike, ndaj dhe falenderoj komandant Vinin”, tha Çako.
PAMJET/ Borshi i shkrumbuar, avioni Canadair nga Italia në operacion për shuarjen e flakëve! Momenti kur mbushet me ujë
Një avion Canadair nga Italia i ka ardhur në ndihmë vendit tonë për të shuar flakët në Borsh. Pamjet që vijnë nga Borshi turistik janë të trishta. Malet janë totalisht të shkrumbuara, ndërsa në operacion përveç avionit Canadair për shuarjen e flakëve po punon edhe një helikopter Coguar.
Report Tv sjell edhe këto pamje, nga momenti kur avioni Canadair mbushet me ujë, ndërsa ne det dallohen edhe pushues që po lahen.
Vihet në kontroll zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës, 64 forca në terren
Situata e zjarreve në Qarkun Korçë paraqitet aktualisht e stabilizuar, me vatra të vendosura nën kontroll. Zjarri në fshatin Strelcë, Nj.Adm. Gorë, Bashkia Maliq, është shuar dhe po monitorohet nga 60 forca të angazhuara nga strukturat vendore.
Zjarri midis fshatit Dishnicë dhe fshatit Barç, Nj.Adm. Bulgarec, Bashkia Korçë, është në kontroll. Të gjitha vatrat janë shuar, por monitorimi vijon nga 58 forca të angazhuara në terren, për të parandaluar riaktivizimin deri në neutralizimin e plotë dhe të sigurt.
Zjarri mbi fshatin Lajthizë, Bashkia Pustec, në Parkun Kombëtar të Prespës, është gjithashtu në kontroll. 64 forca janë duke punuar për neutralizimin e plotë të vatrave. Aktualisht, risk paraqet vetëm një vatër, e cila ndodhet pranë kreshpës me bimësi të dendur. Po përqendrohen forca të shtuara për neutralizimin e saj.
Drejt fikjes zjarri që filloi 3 ditë më parë në malin Shpirag, vetëm 1 vatër aktive në zonën kodrinore të fshatit Paftal
Një ditë më parë situata në fshatrat Zgërbonj e Vasjar ku janë evakuar nga banesat. Zjarri ka përshkuar gjithë zonën, ndërsa janë shkrumbuar pyje me shkurre e pisha të egra. Ditën e sotme situata është nën kontroll. Vetëm disa vatra të cilat janë nën monitorim.
Shqipëria në pushtetin e flakëve, Italia sjell në ndihmë avionin Canadair (VIDEO)
Tiranë/ Arrestohet 63-vjeçari që shkaktoi djegien e 600 hektarëve në Parkun Kombëtar të Dajtit (EMRI+VIDEO)