Pa vendim formal për formim të grupit punues. Pa plan të punës. Të koordinuar vetëm në suaza partiake. Pa raport dhe pa procesverbale. Kështu është përpiluar zgjidhja ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut.
Në mungesë të transparencës nga bartësit politik të procesit, zëvendëskryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai dhe Izet Mexhiti, redaksia jonë është detyruar në disa raste për pyetje që kanë të bëjnë me procesin e përpilimit të draft ligjit t’i drejtohet për ndihmë Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik.
Pasi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të redaksisë, u detyruam që të ankohemi në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik, dhe vetëm më pas të përgjigjen nga qeveria.
Kështu u përgjigjën nga Qeveria në pyetjet tona për përpilimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Vendim për krijimin e grupit punues në përpilimin e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?
Përgjigjja: Nuk ka vendim formal për formimin e grupit për përgatitjen e tekstit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Plani i punës dhe dinamika e takimeve të grupit punues të angazhuar për përgatitjen e zgjidhjes ligjore për përfaqësim adekuat?
Përgjigjja: Nuk ka plan për punë. Dinamika e punës është përcaktuar nga ana e partive të koalicionit në qeveri.
Dokument (email, sms) nga komunikimi me ekspertët e grupit punues, kur i keni informuar se janë të nominuar që të angazhohen për përpilimin e zgjidhjes ligjore për përfaqësim adekuat?
Përgjigjja: Komunikimi me ekspertët është zhvilluar përmes partive të koalicionit.
Vërtetim se ekspertët janë paguar me para?
Përgjigja: Ekspertët nuk janë paguar, kanë punuar pro bono.
Raport nga takimet e grupit punues të angazhuar për përgatitjen e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?
Përgjigjja: Nuk ka raport nga takimet e grupit punues.
Proces verbal nga grupi punues i angazhuar në përgatitjen e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?
Përgjigja: Nuk ka proces verbal nga takimet e grupit punues.
Në një prononcim për Portalb.mk, profesori universitar Afet Mamuti ka kujtuar detyrimet ligjore që institucionet duhet të jenë llogaridhënëse dhe të hapura edhe atë:
“Ligji për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, që obligon institucionet publike që të ofrojnë informacion për punën e tyre kur këtë e kërkojnë qytetarët ose organizatat. Ligji për administratë publike dhe Ligji për punë të organeve shtetërore, që përcakton detyrime për informim publik, publikim të vendimeve dhe raportim për aktivitetet. Nenin 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (1948), sipas të cilës: ‘Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë’. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 10) përmes praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka afirmuar parimin e transparencës duke theksuar rëndësinë e qasjes në informacion për garantimin e lirisë së shprehjes. Konventa e Aarhusit për Qasjen në Informacion, Pjesëmarrjen e Publikut në Vendimmarrje dhe Qasjen në Drejtësi për Çështjet Mjedisore (Konventa e Aarhusit – 1998), që u miratua nga Komisioni Ekonomik për Evropën i Kombeve të Bashkuara (UNECE), e cila i detyron shtetet nënshkruese (përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut) të sigurojnë qasje publike në informacion, pjesëmarrje të publikut në vendimmarrje dhe transparencë institucionale, veçanërisht në çështje mjedisore. Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC – 2003), e cila e detyron shtetin të sigurojë transparencë në administratë dhe në procedurat publike, për të parandaluar korrupsionin dhe për të nxitur llogaridhënien”, tha Mamuti.
Zgjidhja ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk doli të jetë e mangët vetëm teknikisht. Profesori universitar Mersin Maksuti si anëtar i grupit punues publikoi katër vërejtje rreth Ligjit.
“Vërejtja ime bazë është se ky, Propozim Ligj, me gjithë mangësitë që ka, nuk ofron garancë për zbatimin e tij efektiv në praktikë, ngase kjo çështje është lënë vetëm në vullnetin politik të një Trupi Koordinativ pranë Qeverisë së RMV-së, i cili do të ndjek dhe analizojë gjendjen në raport me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik”, shkruan Maksuti, duke shtuar se ky “ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së”.
Maksuti theksoi se ky Trup nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollon organet kompetente për zbatim të këtij Ligji.
“Ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së (por nga njëri nga zëvendës kryeministrat) dhe se nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollojë organet kompetente për zbatim të këtij Ligji, dhe as të propozojë masa përpara Qeverisë së RMV-së për thirrjen në përgjegjësi politike ndaj bartësve të institucioneve publike, për mos zbatim të këtij Ligji”, sqaroi Maksuti.
Ai theksoi se këto vërejtje janë paraqitur gjatë grupit punues, por nuk janë përfshirë në përmbajtjen e tij.
“Realizimi i tij, paraqitet në formë të kushtëzuar dhe të kufizuar, nëpërmjet respektimit të parimit të barazisë, profesionalizmit, kompetencës dhe inkluzivitetit. Kjo lë hapësirë që në konkurset publike për punësime dhe avancime të qytetarëve në emër të profesionalizmit të mos pranohet askush si pjesëtarë i një bashkësie etnike më pak të përfaqësuar”, duke e numëruar si vërejtje të dytë.
Vërejtja e tretë, sipas Maksutit, ka të bëjë në lidhje me atë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese po ndikojnë në përpilimin e ligjeve dhe funksionimin e Kuvendit, duke e vlerësuar se kushtetuesja është shndërruar në legjistlativ.
“E treta, Ky Propozim Ligj, duket se është mjaft padrejtësisht i ndikuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilën vlerëson si antikushtetues të drejtën e deklarimit të detyrueshëm të përkatësisë etnike të kandidatëve në kuotat e parapara në konkurset publike (i referohet Metodologjisë së punësimit e njohur si balansuesi)”, deklaroi Maksuti.
Në reagimin e tij, ai vlerësoi se ky propozim-ligj nuk do të ketë efekte juridike të dëshiruara, pasi do të ketë mungesë të sanksioneve juridike ndaj zyrtarëve publik.
“E katërta, Propozim Ligjit në fjalë, i mungon komponenta shumë e rëndësishme mbrojtja juridike e tij, që nënkupton në radhë të parë, parashikimin e sanksioneve juridike kundërvajtëse ndaj zyrtarëve publikë që janë kompetentë për zbatimin e këtij Ligji si dhe mbrojtjen gjyqësore të tij”, deklaroi Maksuti.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 24 qershor e miratoi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit