Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen për protestën e organizuar nga veteranët për të kundërshtuar veprimet e Gjykatës Speciale. Protesta pritet të fillojë në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Shumë qytetarë nga mbarë Kosova dhe shtetet fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sot ia kanë mësyrë Prishtinës.
Këtë rrugë e kanë marrë të gjithë ata pas organizimit të një proteste kundër “padrejtësive të Gjykatës Speciale” të thirrur nga organizatat e dala nga lufta.
Në sheshin “Skënderbeu’ nga ora 17:00 do të filloj kjo protestë, ndërsa qytetarët janë mbledhur aty që nga mëngjesi.
“Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë heronj”, “Katër emra, një ideal”, “Liria ka emër” – janë disa nga pankartat në këtë protestë.
Ndryshe, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.
Organizatat e Veteranëve të Luftës kanë bërë të ditur se folës pritet të jenë: Nevenka Tromp, Ali Ahmeti, Hysni Gucati dhe një djal i dëshmorit.
Thirrje për dalje në këtë protestë nuk ka bërë vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila derisa ka ardhur në pushte e ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Madje, eksponentëve të lartë të kësaj partie iu ka penguar mbështetja dhe mobilizimi i madh për këtë protestë që ka për qëllim kundërshtimin e padrejtësive që po iu bëhen sh-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Një ditë më parë, të gjitha partitë e opozitës ju kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje në këtë protestë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo protestë është në mbrojtje të vlerave të UÇK-së.
“Nesër, më 7 gusht, në ora 17:00, mblidhemi të gjithë në sheshin “Skënderbeu” – në një protestë që nuk është thjesht reagim, por një akt ndërgjegjeje kombëtare. Le të jehojë zëri i secilit që nuk pranon që lufta për liri të njolloset, që historia jonë të rishkruhet padrejtësisht, e që drejtësia të kthehet në padrejtësi. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Hazri, ai ka thënë se proteste e 7 gushtit është thirrje për Republikën dhe mbrojtjen e vlerave të përbasketa.
“Një ushtri çlirimtare me një emblemë e me një qëllim, për një Republikë të lirë, të pavarur dhe të drejtë për të gjithë. Protesta e 7 gushtit është thirrja jonë për Republikën. Duhet të mbrohen vlerat dhe qëllimi i përbashkët. Në emër të atdheut, familjes e Zotit, dje, sot e nesër!”, ka shkrua ai në profilin e tij në “Facebook”.