Pas shitjes së Malik Thiaw te Newcastle për mbi 40 milionë euro, Milani ka vendosur blerjen e një mbrojtësi të ri si prioritet absolut. Situata bëhet edhe më urgjente pasi trajneri Massimiliano Allegri duket i vendosur të vazhdojë me skemën me tre qendërmbrojtës, çka mund të çojë në afrimin e jo vetëm njërit, por dy lojtarëve të rinj në repartin mbrojtës deri në fund të gushtit.
Sipas ‘Tuttosport’, drejtori sportiv Igli Tare ka në plan një investim të madh për një talent premtues, mundësisht italian, por në listë ndodhet edhe një emër i njohur si Berat Gjimshiti. Qendërmbrojtësi i Atalantës, 32 vjeç, është nën kontratë deri në vitin 2026, por mbetet një mundësi konkrete për kuqezinjtë.
Nëse kushtet e merkatos përputhen, kapiteni i Kombëtares mund të bëhet një nga pistat më të nxehta të Milanit në javët e fundit të merkatos verore. Pas Ardon Jasharit, duket se një tjetër shqiptar do vesh fanellën e Milanit.