Ministria e Mbrojtjes ka bërë dy herë apel dhe thirrje urgjente për banorët e 3 fshatrave të Gramshit që të evakuohen me shpejtësi! Ndërkohë, në të gjithë vendin janë 19 vatra zjarri aktive në vend. Situatë kritike është edhe në Finiq, Fushë Arrëz etj.
Zjarret në Gramsh, policia: Flakët i ndezi 80-vjeçari që vdiq në kopshtin e banesës, u përhapën masivisht në fshatrat
Situatë e rënduar në Gramsh, Mbrojtja thirrje urgjente për të dytën herë: Largohuni menjëherë nga banesat
Prefekti i Elbasanit për Report TV: Po digjen dy fshatra në Gramsh, situata është shumë e rëndë
Riaktivizohet vatra e zjarrit te ‘Syri i Kaltër’ në Sarandë
Konfirmohet viktima e parë nga zjarret në Shqipëri. Në Gramsh ka humbur jetën një i moshuar rreth 80 vjeç.
Lajmi bëhet i ditur nga burime për Report Tv, sipas të cilave viktima është asfiksuar nga tymi i zjarreve nw fshatin Kullollas.
Policia thotë se viktima ndezi zjarr në kopshtin e banesës së tij në fshatin Kullollas, që për pasojë mori përmasa tragjike duke u përhapur masivisht në të gjithë fshatrat e tjerë.
“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve në tre fshatra; Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.
Administratori i njësisë Skënderbegas ka thënë për Report Tv se situata është shumë e rëndë. Dy fshatrat Bletëz dhe Kullolas, janë djegur tërësisht!
“Situata është shumë shumë e rëndë. Zjarri ka përfshirë 4 fshatra, dy janë djegur plotësisht, Kullollas dhe Bletëz. Po përpiqemi të shpëtojmë njerëzit”, tha Arif Feimi në një prononcim për Report Tv.
Theksojmë se njësia administrative Skënderbegas ka gjithsej 2 mijë banorë.
Për shuarjen e zjarreve kanë shkuar 2 helikopterë Cougar që po ndihmojnë nga ajri.
Flakët e mëdha kanë bllokuar edhe ekipet e shpëtimit që kanë shkuar për të evakuuar banorët.
Në vendngjarje kanë shkuar ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Flakët e zjarrit kanë djegur edhe Teqenë e Shemberdhenjes që ndodhet në këtë zonë.
***
Edhe në Finiq, situata paraqitet e rënduar. Në Pecë rrezikohen disa shtëpi, ndërkohë që flakët vijojnë edhe në fshatin Kardhikaq. Në Fushë Arrëz, zjarri që vijon prej ditës së djeshme në fshatin Xath, është përhapur për shkak të erës së fortë. Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Fushë Arrëzit, Alfred Qafa tha për Report TV se situata është kritike.
Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.
Në fshatin Xibër të Klosit vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.
Në fshatin Rehovë të Poliçanit zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.
Në Tiranë vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, ku forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
Në fshatin Stërbeg të Rrogozhinës zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Hajdaraj të Kavajës, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
Në lartësitë e fshatit Damjan dhe Isufaj, në Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.
Në fshatrat Ferraj dhe Zall-Herr, të Tiranës, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Black Haëk të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në kodrat e Selitës, në Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.
Në fshatin Barkanesh të Krujës është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.
Në fshatin Turan të Tepelenës ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Në terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.
Në fshatrat Mukaj dhe Sojnik të Gramshit, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan zjarrfikës të Gramshit të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.
Një vatër zjarri është aktivizuar në hyrje të Pukës, ku po vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
Në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.
Në fshatin Gegaj të Tropojës është aktivizuar një vatër zjarri, por pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.
Në fshatin Shëmri të Kukës një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, vazhdon të jetë në monitorim.
Në fshatin Gërmenj të Kolonjës është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
Mjete ajrore që kanë operuar gjatë ditës së djeshme:
– 1 Avion Canadair kroat
– 2 Avionë PZL grekë
– 1 Black Hawk nga Republika Çeke
– 1 Black Hawk nga Sllovakia
– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë
Pritet të operojnë sot :
– 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe
– 1 Black Hawk nga Republika Çeke
– 1 Black Hawk nga Sllovakia
– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë
Sipas informacionit të IGJEO-s, sot nuk priten reshje. Sa u përket zjarreve në pyje, pritet nivel rrezik i “lartë” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “shumë i lartë” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41 °C në vendet e ulëta.