Përplasje të rënda janë raportuar mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) në qytetin serb Novi Sad dhe në kryeqytetin Beograd, njofton Reuters.
Mbështetësit e SNS hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike ndaj studentëve protestues antiqeveritarë në Novi Sad mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar ndërhyrjen e policisë. Sipas raporteve, 64 qytetarë dhe pesë policë u plagosën në qytet.
Protestat mujore në të gjithë Serbinë, pas vdekjes së 16 personave kur çatia e stacionit të rinovuar hekurudhor në Novi Sad u shemb, kanë tronditur presidentin Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij SNS.
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç deklaroi se një polic është plagosur në Novi Sad. Pamjet e televizionit N1 treguan se nga drejtimi i zyrave të partisë në pushtet ndaj protestuesve hidheshin fishekzjarre dhe mjete piroteknike.
Më vonë, pranë ndërtesës së parlamentit në Beograd, policët me jelekë antiplumb bllokuan protestuesit antiqeveritarë që po afroheshin në zonën ku mbështetësit e Vuçiçit janë vendosur që nga marsi. Në profilin e tij në Instagram, presidenti Vuçiç publikoi një video ku shihej ulur me mbështetës para parlamentit, duke thënë:
“Erdha këtu për të qenë me njerëzit.”
Më herët, ai iu drejtua mbështetësve të tij në Beograd, disa blloqe më larg, duke thënë:
“Përgjigjja jonë ndaj protestuesve është e qartë – nuk do t’ju lejojmë ta shkatërroni Serbinë.”
Po ashtu në Beograd, pranë selisë së partisë në pushtet, protestuesit u përplasën me policinë që i pengoi të afroheshin tek zyrat e SNS. Vuçiç i akuzoi protestuesit antiqeveritarë se po përpiqen të “nisin një luftë civile”.
Protestuesit fajësojnë korrupsionin për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme për të larguar Vuçiçin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vitesh.
Protestat në Serbi vazhdojnë, marrëdhëniet me Moskën janë ftohur, ndërsa Vuçiç kërkon të gjejë shpëtim te ideja e një armiku të jashtëm. Ata e akuzojnë atë dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj kundërshtarëve dhe kufizim të lirisë së mediave. Vuçiç i mohon këto akuza.
Mbrëmë, studentët që udhëheqin protestat u bënë thirrje mbështetësve të tyre të protestojnë para zyrave të partisë në pushtet në qytetet më të mëdha të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevcin, Çaçakun dhe Nishin, pas plagosjes së disa protestuesve në përplasjet me një tubim partiak në qytetin Vrabac të martën mbrëma.
Aleksandar Vuçiç është ish-ultranacionalist nga rrethi i ngushtë i ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, i cili përfundoi në Hagë. Në vitin 2008, ai u bë mbështetës i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por pa e shkëputur aleancën me Rusinë dhe Putinin. Ai akuzohet për mbështetje të korrupsionit në Serbi.