“Secret Pasha”, festa e festivalit të “Porto Palermos”
Në bashkëpunim me Porto Palermo Festival në kalanë e Porto Palermos do të mbahet për dy net, në 18 dhe në 19 gusht, ‘Afterparty’ Zyrtare e Festivalit. Kjo festë e emërtuar si “Secret Pasha” në bashkëpunim me “Secret Society”, do të nxjerrë në pah heronjtë vendas të Shqipërisë, yjet në ngritje që do të formësojnë skenën e së nesërmes. Ndërsa nata e dytë do të sjellë të njëjtën energji të pandalshme, por me një kthesë ndërkombëtare: Fahlberg, një nga të huajt më emocionues në skenën globale elektronike, bën debutimin e tij në Shqipëri!
“DansMusik Fest” në Lungomare. I ftuar i veçantë, Alok
“DansMusik Fest 2025”, festivali i muzikës dans mbahet te Lungomare në Vlorë prej 18 gushtit deri në 23 gusht. Muzikë live, surpriza, spektakël e gara vallëzimi janë pjesë e aktivitetit. E veçanta në festival është pjesëmarrja e artistit brazilian të njohur ndërkombëtarisht, Alok, që do të jetë i pranishëm në Vlorë në 22 gusht.
“Seaside Quartet” në galerinë e bregdetit në Radhimë
Ekspozita “Seaside Quartet” nga Parasite 2.0 vijon të qëndrojë e çelur që prej 2 gushtit e deri në 16 shtator te Galeria e Bregdetit në Radhimë. Ekspozita buron nga një dialog i vazhdueshëm midis Parasite 2.0 dhe kuratorit Elian Stefa, i bazuar në një pasion të përbashkët për muzikën dhe për hapësirat kolektive të aktivizuara përmes tingullit.
Ekspozita fotografike e Barry Lewis për Shqipërinë e ’90-ës
Në galerinë e artit bashkëkohor “Gocat” pranë Piramidës së Tiranës vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Shot/Reverse Shot” nga fotografi Barry Lewis. Ekspozita sjell për herë të parë në Shqipëri arkivën e rrallë të fotografit britanik Barry Leëis, realizuar fshehurazi në vitet 1990–1991, në një Shqipëri të izoluar, të mbyllur ndaj syrit të jashtëm dhe alergjike ndaj fotografisë përtej propagandës.
“Lost in Generations” në Galerinë e Arteve Digjitale
Ekspozita “LIG” (Lost in Generations) vijon të qëndrojë e hapur te “Galeria e Arteve Digjitale” në Korçë deri më 31 gusht. Mund ta vizitoni falas çdo ditë, nga ora 10:00 deri në orën 20:00.
“Shkodra Sounds” në edicionin e XVI të Festivalit të Xhazit
Edicioni XVI i “Shkodra Jazz Festival” po vijon të mbahet në Shkodër. Mbrëmjen e 18 gushtit në orën 20:30, në 20 vjetorin e Shoqatës Kulturore “Rrok Jakaj” mund të bëheni pjesë e koncertit të hapjes së “Shkodra Sounds” pranë Famullisë “Zoja e Shkodrës” në Katedralen e qytetit.