Për dallim nga muaji i kaluar, kur rastet e kolapseve për shkak të temperaturave përvëluese ishin dukuri më e shpeshtë, gjatë këtij muaji Ndihma e Shpejtë ka shënuar rritje të thirrjeve për aksidentet rrugore. Sipas mjekes Anita Dimoska, në aksidentet e ndodhura, përveç shoferëve të automjeteve, janë përfshirë edhe drejtuesit e trotineteve dhe biçikletave, ndërsa aktualisht punojnë me pesë ekipe mjekësore.
“Këtë periudhë më të zakonshme janë aksidentet rrugore, pra muajin e kaluar, korrik dhe në qershor, ishin më tepër me kolapse në vendet publike, e dimë se kanë kaluar tre valë të të nxehtit kështu që ka pasur edhe kolapse, intervenimet më të shpeshta ishin në vendet publike. Megjithatë, këtë periudhë për fat të keq mund të them se më të zakonshme janë aksidentet rrugore. Me siguri ndikon moti i ngrohët në koncentrimin e shoferëve, sigurisht ka ndikim edhe konsumimi i alkoolit”, tha Anita Dimoska, mjeke në Ndihmën e Shpejtë.
Për shkak të mungesës së ekipit mjekësor, Ndihma e Shpejtë vazhdon të punojë me selektimin e rasteve, respektivisht të intervenojnë vetëm në rastet më urgjente. Për këtë shkak, ata kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve, pasi siç thonë mungesa e kuadrit mjekësor nuk i lejon të arrijnë në çdo rast.
“Në një periudhë të gjatë kohore e organizojmë punën në mënyrë të vështirë, pasi me të vërtet ekipet janë pak për këtë qytet të madh, veçanërisht gjatë ditës së punëve kur pjesa më e madhe e banorëve nga e gjithë Maqedonia gravitojnë në zonën e qytetit të Shkupit. Vështirë ecën puna, megjithatë për fat të mirë me menaxhimin e mirë deri më tani arrijmë në kohë atje ku ka nevojë”, shtoi Anita Dimoska, mjeke në Ndihmën e Shpejtë.
Më herët, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, tha se Ndihma e Shpejtë është në prioritetin e tij, dhe se së shpejti do të dalin me plan për përmbushjen e nevojave që kanë të gjitha qendrat në nivel shtetëror.