Dy motrat Elisa (22) dhe Rezina Dhimaku (20) humbën jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme në aksidentin e rëndë në aksin Sarandë–Delvinë. Të rejat raportohet kishin dalë për një kafe në qytet së bashku me shoqen e tyre, Antonela Zhupa, e cila mbeti e plagosur dhe po kurohet në Tiranë.
Para se të largoheshin, vajzat morën leje nga prindërit dhe donin të merrnin me vete edhe vëllain e vogël 10-vjeçar, por babai i tyre u tha që ta linin në shtëpi sepse ishte i lodhur. Ndërkohë, gjyshja i kishte lutur të mos dilnin atë mbrëmje, duke thënë se kishte parë një ëndërr të keqe.
Në fshat, Rizal Dhimaku shihet çdo çast duke qarë për vajzat e humbura. Ai, bari me bagëti dhe mbledhës sherebele, është përshkruar nga bashkëfshatarët si njeri punëtor që i ka rritur fëmijët me shumë mund.
Ngjarja ka lënë në pikëllim të thellë familjen dhe gjithë komunitetin, ndërsa shoferi 23-vjeçar Kevi Norra, i cili rezultoi i dehur, ndodhet i arrestuar dhe pritet të përballet me drejtësinë.