Pas miratimit të rezultatit zgjedhor, do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së 11-të brenda 10 ditëve nga përfundimi i Kuvendit të vjetër. Pritet dhe mbledhja e parë të Kuvendit të ri, e cila do të shënojë edhe fillimin zyrtar të legjislaturës së re për katër vitet e ardhshme.

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.

 
 

Debatet në Komision

Një nga anëtarët e Komisionit, Muharrem Çakaj, ngriti pyetje për KQZ-në në lidhje me listat e kandidatëve dhe standardin e ndjekur në vendimet e marra për kërkesat e subjekteve politike, duke sjellë në vëmendje debatin e madh me dorëheqjet e kandidatëve, si rastet e Fierit dhe Tiranës.

U vu në dukje se për rastin e Fierit, u pranua dorëheqja e kandidates së PS, kurse për Tiranën, Nima Shqipëria Bëhet, u ndoq një tjetër standard, ku u pranuan vetëm 3 dorëheqje, kurse për PSD-në dorëheqjet u pranuan në bllok.

Anëtari i Rregullatorit Çakaj pyeti KQZ-në se “si mund të jepet dorëheqja nga diçka që nuk është fituar, kur rezultatin e shpall në fund Komisioni Rregullator”.

KQZ sqaroi se është ndjekur vetëm një standard dhe se në rastin e PS në Fier u zbatua neni 71 i Kushtetutës, sepse nuk pati ankimime të mëpasme pas dorëheqjes së kandidates Maldrita Bardho, që ia la mandatin koleges së saj Zegjine Çaushi. Kurse në rastet e tjera ka pasur edhe ankimime dhe situata të ndryshme nga ajo më sipër.

Kryetarja e Komisionit, Ilirjana Nano, u shpreh se mbledhja nuk bëhet për të marrë vendim të ri, sepse ai është marrë nga tre shkallët pas ankimimeve, por për të shpallur rezultatin përfundimtar:

“Për të 12 vendimet kemi pasur ankimime apo procese rinumërimi dhe në fund kemi vendime përfundimtare nga KAS dhe Kolegji, si dhe 12 vendime të KQZ për shpërndarje të mandateve. Procesi vendimmarrës ka kaluar të gjitha shkallët administrative dhe vendimmarrëse dhe jemi në kushtet kur shpallim rezultatin dhe jo të vendosim diçka të re. Procedurat e ankimit kanë mbaruar dhe jemi në afat për të marrë vendimin, ky është diskutim në parim”.

Por dy prej anëtarëve vijuan me kritikat e tyre ndaj KQZ-së, si nga vota e diasporës dhe problemet me DHL, ashtu edhe me listat e zgjedhësve brenda vendit, procesi i votimit apo edhe incidentet e pretenduara.

“Këto zgjedhje nuk ishin të lira, ishin larg standardeve, rezultatet nuk ishin reale dhe jemi në një regjim. Në këto kushte deklaroj votën time kundër këtij rezultati”, u shpreh Helga Vukaj, një nga anëtaret e komisionit.

Pas debateve dhe diskutimeve mes 5 anëtarëve të Komisionit, përfaqësuesve ligjorë të PD dhe PS si dhe përfaqësuesve të KQZ të pranishëm, u kalua në votim në parim, ku u miratua rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 11 majit, me 3 vota pro dhe 2 kundër.

“Me 3 vota pro dhe 2 kundër kemi shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025”, tha kryetarja Nano pas votimit edhe nen për nen të tabelave të qarqeve dhe emrave të kandidatëve.

Çfarë ndodhi pas 11 majit

11 maji, pas fitores së thellë të socialistëve, u shoqërua me akuza për vjedhje zgjedhjesh nga PD. Rinumërimi në qarkun e Tiranës reflektoi gabime njerëzore, por pa ndryshim në rezultat. Rinumërimi i Fierit i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por kjo e fundit e refuzoi, duke Ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.

Në Durrës, kutitë që u hapën nuk i dhanë Aulon Kalasë votat e duhura për t’i marrë mandatin ish-prokurorit Arjan Ndoja.

‘Kaos’ pati edhe brenda koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, mandati i vetëm i së cilës përplasi publikisht Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin. Edhe kësaj ‘sage’, Kolegji Zgjedhor i dha fund pak ditë më parë, duke ia dhënë mandatin Ana Dajkos, dhe duke lënë jashtë kuvendit Lapajn.Ora 13:51

Komisioni Rregullator certifikoi 11 majin, Berisha: PD nuk i njeh zgjedhjet, ishin farsë elektorale

Komisioni Rregullator ka certifikuar përfundimisht rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Por, Sali Berisha vijon të këmbëngulë se 11 maji ishte farsë dhe në një konferencë nga selia blu tha se nuk i njohin zgjedhjet.

“Nuk i njeh zgjedhjet, kemi deklaruar. Përfaqësuesit tanë mbajtjen një qëndrim dinjitoz në komision. Shprehën mendimet, këto ishin një farsë e vërtetë elektorale.
Ky është qëndrimi ynë dhe ne e kemi shprehur këtë”, tha Berisha.

 

Komisioni Rregullator/ Nuri i PD-së: Mos e certifikoni rezultatin, 11 maji farsë elektorale! Xhina e PS: Zgjedhjet të lira, opozita në rreth vicioz

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, tha se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme, duke i bërë thirrje Komisionit Rregullator që të mos e certifikojë apo miratojë rezultatin përfundimtar.
Ai tha se jo vetëm farsë, por zgjedhjet ishin një rreth vicioz, ku u përfshi makineria shtetërore duke tjetërsua rezultatin.

 “Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira, ishin farsë elektorale me manipulim, blerje dhe tjetërsim të votës së lirë. Ne si PD-ADSHM nuk i njohim këto zgjedhje si të ligjshme dhe Komisioni Rregullator të mos e certifikojë rezultatin. Mos u bëni pjesë e kësaj farse dhe mos e miratoni apo shpallni rezultatin e 11 majit”.

Ai përmendi edhe njëherë pretendimet për makinerinë shtetërore me paratë publike.

Por përfaqësuesja ligjore e PS-së, e rrëzoi pretendimin e kolegut demokrat, duke kujtuar se rrethin vicioz e ka krijuar opozita që nga nisja e procesit.

“Kemi një rreth vicioz, por të krijuar nga PD që nga fillimi i këtij procesi dhe beteja ligjore me ankimimet. Zgjedhjet ishin të lira”, tha Elena Xhina mes të tjerave.