Rikthimi në shkollë, për mijëra nxënës këtë shtator do të jetë në godina të reja apo të rehabilituara, por shkollat e shumë të tjerëve do të jenë mes llaçit e tullave.
Teksa 30 shkolla të rikonstruktuara do të hapin dyert për nxënësit më 8 shtator, të tjera do të nisin rehabilitimin në shtator, fiks në nisje të vitit të ri shkollor. Sipas hulumtimit të procedurave të shpallura nga bashkitë, vetëm në muajin gusht janë hapur 7 tenderë për rikonstruksion të shkollave 9-vjeçare.
Konkretisht shkollat që do të nisin rikonstruksionin në shtator, kohë kur nis viti i ri mësimor janë shkolla “35-vjetori i Çlirimit” në Gramsh me vlerë 1.4 milionë euro, shkolla 9-vjeçare “Sejdi Dida” në Krumë në Bashkinë Has me fond 1.2 milionë euro, shkolla 9-Vjeçare “Ismail Klosi” Ballsh me kosto rikonstruksioni 1.2 milionë euro apo shkolla 9-vjeçare “Sotir Gurra” në Korçë me fond 941 mijë euro. Po kështu rehabilitimi do të përfshijë edhe shkollën 9-vjeçare “5 Maji” në bashkinë Dimal me vlerë 730 mijë euro dhe shkolla 9-vjecare “Dovolan”, në Dibër, rikonstruksioni i së cilës do të kushtojë 190 mijë euro.
Në Elbasan në shkollën “Fejzulla Guranjaku” nuk do të bëhet rikonstruksion total, por vetëm në katin e parë me vlerë 156 mijë euro
Në Lushnje do të rindërtohet edhe një gjimnaz. Bashkia shpalli tenderin me vlerë 696 mijë euro për “Rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Zyber Sharka”- Hysgjokaj”.
Garat e këtyre tenderëve janë hapur përgjatë gushtit, një pjesë janë mbyllur por ende nuk janë shpallur fituesit ndërsa një pjesë mbyllen javën e parë të shtatorit. Praktikisht rikonstruksioni i shkollave do të nisë paralelisht me rikthimin e nxënëseve nëpër banka, të cilët do të detyrohen ose të bëjnë mësim me dy turne nëpër shkolla të tjera.
Ndërsa bashkia Lezhë rikonstruksionet i ka nisur më herët, si në shkolla ashtu edhe në godinat e kopshteve e çerdheve.
Gushti është shoqëruar me një ‘lumë’ tenderësh për arsimin, jo vetëm për rikonstruksione godinash, por edhe për blerje materialesh shkollore, mobilime ambientesh, blerje pajisjesh për laboratorë apo dru për ngrohje.
1.66 milionë euro është tenderi i Bashkisë Tiranë që mbyllet më 12 shtator për blerje “Pajisje dhe orendi mobilimi për objektet arsimore”, si karrige, dollapë, laptop, printer, tavolina, lupa apo mikroskopë.
28 mijë euro do të shpenzohen edhe për mobilimin e shkollës 9-vjeçare “Hysen Xheka”, ndërsa bashkia Dibër do të shpenzojë 137 mijë euro për ngrohje me dru zjarri në vitin e ri shkollor 2025-2026
Bashkia Selenicë do të nisë ndërtimin e terreneve sportive 655 mijë euro për shkollat në fshatrat Armen, Vllahinë dhe Sevaster. Edhe gjimnazi “28 Nëntori” Shkodër do të pajiset me ambiente sportive të reja, përmes një tenderi me vlerë 136 mijë euro.