-Sulmuesi shënoi dy golat e para të ekipit të tij në Superioren, duke regjistruar emrin në historinë e klubit dhe duke u shpallur njeriu i ndeshjes.
-Dhjetëra tifozë verdhë shkuan më herët në Laç, duke u lutur në Kishën e “Shna Ndout” për fatin e skuadrës dhe familjet e tyre. Lutja e veçantë u shpërblye me fitore historike.
-Rreth 200 tifozë të Tiranës, të vendosur në tribunën veriore, mbajtën gjallë atmosferën dhe duartrokitën ekipin edhe pse bardheblutë pësuan tre gola.
-Rreth 1500 spektatorë mbushën shkallët e stadiumit, me një numër pothuajse të barabartë për të dyja skuadrat. Në fund të ndeshjes, ekipet u afruan te tifozët për duartrokitje, duke treguar respekt reciprok.
-Ekipi debutues nisi sfidën pa katër lojtarë të rëndësishëm: Ruzgis, Hasaj, Tabaku dhe Barjamaj. Megjithatë, kjo nuk e pengoi skuadrën të arrinte një fitore të rëndësishme.
-Eldiano Topi, themeluesi i klubit dhe personi që e ngjiti ekipin nga kategoria e tretë në Superioren, bëri nderin për të dhënë startin simbolik të ndeshjes. Kujtojmë se më parë ai ka luajtur edhe për Tiranën dhe Partizanin.
-Para fillimit, një moment i lezetshëm ndodhi gjatë nxehjes. Portieri Ruçi hodhi një top të gjatë që goditi pa dashje Kleandro Lleshin, i cili u përgjigj me një salutim, duke shfaqur “fairplay”-n karakteristik.
-Ndeshja u gjykua nga ndërkombëtari Florian Lata, njëkohësisht rekordmen i atletikës shqiptare, ndërsa delegat ishte ish-futbollisti i Tiranës, Besnik Çela.
-Rimal Haxhiu i Tiranës pati një mundësi të artë për të shënuar, por portieri Ruçi dhe fat i kundërshtuan. Megjithatë, tifozët e Tiranës e duartrokitën lojtarin për pozicionimin e tij të guximshëm.
-Në minutën e 45+1’, Tabeku i Tiranës goditi traversën, duke i dhënë pak shpresë ekipit të tij, ndërkohë që trajneri Bellaj reagoi ndaj mbrojtjes së zbuluar të Vorës.