Pogradeci nuk ka të ndalur në merkato, teksa ka afruar tre lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare.
Më i spikaturi padyshim është nigeriani Majkëll Babatunde, i njohur për tifozët shqiptarë si ish-lojtar i Laçit, vjen nga kampioni i Uzbekistanit, duke i shtuar shumë cilësi mesfushës së liqenorëve të Ardian Memës. Disa kohë më parë Majkëll Baba tunde përballej me Mesi & CO, ndërsa tashmë do të kontribuojë për Pogradecin.
Babatunde ka qenë pjesë e kombëtares nigeriane në Botërorin e 2014 dhe është përballur me yjet argjentinas. Ai numëron 11 paraqitje me Nigerinë. Me Laçin u aktivizua 24 ndeshje në Superiore, ku shënoi 2 gola si dhe 6 në Kupë ku shënoi 3 gola.
Nga Kosova është bashkuar me ekipin pogradecar, Enrik Krasniqi, një tjetër prurje që pritet të japë kontribut të rëndësishëm.
Ndërkohë, sulmit i Pogradecit i shtohet edhe afrimi i Gabriel Okeçuku, sulmues nigerian që vjen nga kampionati japonez.
Me këto përforcime, trajneri i pogradecarëve ka tashmë në dispozicion një grup lojtarësh cilësorë, duke rritur ndjeshëm ambiciet e ekipit për sezonin e ri.
Liqenorët e kanë nisur këtë edicion futbollistik me 2 barazime, në shtëpi ndaj Lushnjës dhe në transfertë ndaj Ilirisë, teksa objektivat janë madhore.