Sot regjisori Dhimitër Anagnosti do të përcillet për në banesën e fundit, në Vuno të Himarës, vendlindjen e tij. Homazhet do të mbahen në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga ora 10:00-13:00, ku familjarë, miq, kolegë dhe dashamirës të artit do t’i lamtumirën e fundit mjeshtrit të artit.
Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të shquara të panteonit të kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
I cilësuar si një prej regjisorëve më të mëdhenj të artit shqiptar, Anagnosti numëron në ‘portofolin’ e tij artistik 15 skenarë, 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, të realizuara gjatë karrierës 40-vjeçare. Për kontributin që ka dhënë, ai është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Publiku e kujton për filmat “Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Cuca e maleve”, “Malet me blerim mbuluar”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj, shumë prej të cilëve u shfaqën në festivale ndërkombëtare.
Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, mjeshtrit të madh të kinemasë shqiptare, solli reagimin e aktorëve e kolegëve, por edhe figurave të njohura të politikës. Ata ndanë kujtimet me regjisorin, ndërsa përcollën edhe mesazhe mirënjohje për trashëgiminë e jashtëzakonshme që ka lënë në kinematografinë shqiptare.