Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri- Perëndimorë, Durim Zeqiri ka komentuar thirrjen publike të qeverisë për dhënien e vauçerëve për studentët. Sipas OEMVP-së, kriteret diskriminojnë bizneset e vogla dhe të mesme.
“Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri- Perëndimorë është kategorike dhe decide sa i përket vendimit të qeverisë për eliminimin e kompanive të vogla për pjesëmarrje për të realizuar vauçerët e studentëve. Për shkak se kjo i stumulon kompanitë që të nxisin konkurrencë jo lojale, duke i mbështetur kompanitë e mëdha, dhe kështu duke i eleminuar një pjesë të kompanive të mesme, të vogla dhe ato mikro, nga kjo garë. Duke krijuar edhe një diskrepancë edhe në përfshirjen e tregut dhe marrjen e tregut të atij sektori, por edhe gjithashtu duke i favorizuar ato që veçmë janë etabluar fuqishëm në treg”, tha Zeqiri.
Ai theksoi se kjo çështje kërkon qasje në mënyrë statistikore.
“Duhet të kemi parasysh që mbi 90% të kompanive në Maqedoninë e Veriut që janë të regjistruara dhe janë aktive, janë kompani mikro dhe të vogla. Dhe pikërisht, një numër shumë i madh i tyre do të eliminohen nga kjo garë”, tha tutje Zeqiri.
Drejtori i OEMVP vlerëson se ky akt i cili diskriminon kompanitë e vogla dhe mikro duhet të revidohet dhe rishqyrtohet me qëllim që t’u jepet mundësia që edhe ata të garojnë në treg të hapur dhe të lirë.
“Ekonomia e tregut të lirë është kategori kushtetuese dhe nuk është hera e parë që shteti intervenon në këtë pikë dhe bën shkelje të kësaj kategorie kushtetuese. Gjegjësisht, dirigjon tregun e lirë, gjë që nuk duhet të bëjë, por vetëm duhet të jetë përmirësues dhe të ndihmon ekonominë në rast të ndonjë krize eventuale”, përfundoi Zeqiri.
OEMVP edhe përmes një kumtese javë më parë u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të rishikojnë kushtet e thirrjes publike dhe të mundësojnë qasje të barabartë për të gjitha kompanitë në mënyrë që të shmanget krijimi i konkurrencës jolojale dhe të sigurohet trajtim i drejtë për të gjithë operatorët ekonomikë.