Pasi kryetarët e tyre kandiduan më 11 maj dhe tashmë do të jenë deputetë në Kuvend, bashkitë e Matit, Tepelenës dhe Beratit, janë me sytë nga Edi Rama. Kryeministri duhet të njoftojë Presidentin për vakancat, që Begaj të caktojë datën e zgjedhjeve. Burime thonë se njoftimi pritet brenda disa ditëve.
6 muaj më parë kryetarët e 3 bashkive Mat, Tepelenë e Berat dhanë dorëheqjet për t’u bërë deputet. Më 12 mars qeveria njoftoi KQZ-në se Agron Malaj, Tërmet Peçi dhe Ervin Demo ishin larguar. Që nga ajo kohë, bashkitë drejtohen nga një nënkryetar i përzgjedhur përkohësisht nga Këshilli Bashkiak përkatës.
Por pse nuk po mbahen zgjedhje në këto 3 bashki?
Ligji parashikon se data e zgjedhjeve të parakohshme, apo të pjesshme caktohet nga Presidenti i Republikës, vetëm pasi ky i fundit, të ketë marrë njoftim zyrtar nga qeveria për vakancat.
Aktualisht, Bajram Begaj nuk ka asnjë njoftim nga Edi Rama se Mati, Tepelena e Berati janë pa kryetar, edhe pse ky është një fakt i njohur botërisht.
Ligji nuk i ka vendosur një afat qeverisë, se për sa ditë nga krijimi i vakancës duhet të njoftojë Kreun e Shtetit.
Qeveria e pyetur nga Report Tv se pse nuk e ka njoftuar Presidentin, dhe kur ka ndërmend ta bëjë këtë, nuk dha një koment.
Gjithsesi burime jo zyrtare pranë saj, thanë se kryeministria është shumë afër këtij momenti, tashmë që KQZ mbaroi punë me 11 Majin dhe deputetët e rinj po shkojnë drejt betimit.
Ditën që kryeministri Edi Rama njofton kreun e shtetit Begaj, ky i fundit, brenda 48 orësh, cakton datën e zgjedhjeve, e cila nuk duhet të jetë më herët se 30 ditë, dhe jo më larg se 45 ditë.