Pavarësisht se u premtua, ende nuk ka raport se sa para dhe për çfarë u harxhuan gjatë Verës Kulturore Tetovare për këtë vit, transmeton Portalb.mk.
Siç patën deklarua nga Komuna e Tetovës para fillimit të manifestimit, organizimi do të kushtonte rreth 10 milionë denarë, apo rreth 160 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në konferencën për shtyp gjatë prezantimit të programit tha se pas manifestimit do të ketë raport të detajuar.
Por, një muaj e më shumë nga përfundimi i këtij organizimi, ky raport ende nuk është bërë publik.
I pyetur nga Portalb.mk se pse nuk është publikuar ende i njëjti, Kasami tha se nuk ka pasur mundësi ta kërkojë të njëjtin.
“Për shkak të dinamikës të angazhimeve tash edhe parazgjedhore nuk kam pasur unë mundësinë që ta kërkoj një raport të tillë, por besoj që mesazhi është përcjellë edhe besoj që brenda javës që vjen do ta kemi raportin për verën kulturore”, tha Kasami më 11 shtator.
Kujtojmë se çfarë deklaroi Kasami në korrik:
“Në fund të këtij manifestimi sigurisht që do të kemi një raport para opinionit ku në mënyrë transparente do të prezantohet komplet buxheti sa janë harxhuar, si janë siguruar dhe ku kanë shkuar”, tha Kasami më 15 korrik.
Ndryshe, Vera Tetovare këtë vit u mbajt nga 16 korriku deri më 3 gusht. Programi ishte i ndarë në disa kategori: Ditët e sportit, kultura, folklori, netët e filmit, netët rinore dhe festa në shesh.