Një shtrëngim duarsh në derën e Presidencës e më tej një rrahje shpatullash. Rama dhe Begaj u takuan kokë më kokë në sallën e pritjeve, takim që zgjati rreth 1 orë e 20 minuta. Ky është momenti për t’i dorëzuar dekretin për emërimin kryeministër. Neni 2 i këtij dekreti i cili hyn në fuqi menjëherë, reflekton atë që Rama zgjodhi të bëjë për herë të parë,  jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe atë botërore, një ministër virtual.
“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”, citohet në dekretin e Begaj.
Ky dekret solli reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila përmes Gazment Bardhit e quan antikushtetues dhe qesharak.
“Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?! Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë”, shkruan Bardhi.
Dekreti i Presidentit Begaj
Mandatimi si kryeministër i hap rrugën Edi Ramës, të formojë qeverinë e re në mandatin e tij të katër, emrat e së cilës i shpalli një më një nga Asambleja e PS-së në Pallatin e Kongreseve të enjten. Presidenti Bajram Begaj më tej do të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat. Së pari qeveria duhet të marrë votëbesimin në Parlament në ditët e ardhshme, e më pas do të zhvillohet ceremonia e betimit në Presidencë. Me kureshtje, pritet të shihet se si do të betohet “Diella”. Përveç ‘ministres’ virtuale të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që kreu i qeverisë tha se do të merret me proceset qeverisëse dhe më tej edhe me procedurat e prokurimit publik, Rama shpalli 16 ministra, ku spikati Albana Koçiu si e para grua në krye të Ministrisë së Brendshme. Elisa Spiropali rikthehet në kabinet, 6 janë ministra për herë të parë, 5 rikonfirmohen në të njëjtat dikastere, ndërsa 4 lëvizin në ministri të ristrukturuara.
Presidenca: Begaj dekretoi vetëm Ramën si Kryeministër, asnjë ministër
1757679068_1755090946presidenca.jpgPresidenca ka reaguar në lidhje me dekretimin e Kryeministrit Edi Rama ditën e sotme, i cili ka dhe përgjegjësinë për të ngritur Ministrinë IA. Në një reagim për mediat, Presidenca sqaron se Bajram Begaj nuk ka dekretuar asnjë ministër sot, përveç Kryeministrit Edi Rama. Në Dekretin për Ramën, në nenin 2, sqarohet edhe që Kryeministri do të ushtrojë edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrisë Virtuale të Inteligjencës Artificiale “Diella”. Ndërkohë, sqaron Presidenca, ministrat e qeverisë do të betohen ditë të tjerë. Reagimi i Presidencës: Sot Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin. Ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme. Baza kushtetuese e dekretit ndodhet në rreshtin hyrës të tij. Dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje. Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene.