Në seancën e sotme në Gjykatë për rastin “Belanocë/Baron”, ku në bankën e të akuzuarve ndodhen nëntë persona për vepra të rënda penale – përfshirë të paktën tetë vrasje, zhvatje dhe djegie objektesh – ka dalë një zhvillim i ri i bujshëm.
I akuzuari Gani Marku, i dyshuar si ekzekutues i vrasjes së Orhan Bajramit – Oki në Halkidiki, paraqiti në gjykatë dhe në prokurori një seri komunikimesh telefonike, për të cilat pretendon se i përkasin zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Sipas tij, përmbajtja e këtyre mesazheve tregon se Mexhiti ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë ndaj prokurores së rastit, Verica Berzhetska Krsteva, me qëllim që të akuzuarit të gjykohen edhe pa prova të plota.
Ky pretendim i Markut pritet të ndezë debat mbi besueshmërinë e procesit gjyqësor dhe rolin e politikës në drejtësi. Mbrojtja e të akuzuarve ka përsëritur qëndrimin se provat e prokurorisë janë siguruar përmes përgjimeve të paligjshme në qelitë e burgut, ku të akuzuarit po vuanin dënime për vepra të tjera penale.
Gjykata do të duhet të vendosë nëse komunikimet e dorëzuara nga Marku do të pranohen si prova. Nëse ato verifikohen si autentike, procesi mund të marrë një kthesë të re.
Kabineti i zëvendëskryeministrit Mexhiti deri më tani nuk ka dalë me reagim zyrtar lidhur me këto akuza.
Mbrojtja e të akuzuarve bazohet në faktin se provat e vetme të prokurorisë janë siguruar përmes masave të posaçme hetimore, pra klientët e tyre janë përgjuar brenda qelive të burgut ndërkohë që po vuanin dënime për vepra të tjera penale dhe po bisedonin me njëri-tjetrin. Avokatët pretendojnë se regjistrimet audio janë siguruar në mënyrë të paligjshme.
Një pjesë e bisedave të përgjuara në qeli janë dëgjuar në seancën e kaluar gjatë fjalës hyrëse të prokurores. Në total janë 9 të akuzuar, mes tyre edhe Akif Ravmanovski, i konsideruar si lider i grupit Baron, pastaj Zylqufli Nuredini – i njohur si “Mali repki”, i cili as nuk kuptonte për çfarë akuzohej, edhe pse akuzohet për disa vrasje.
Në bankën e të akuzuarve janë edhe vëllezërit Maslani, njëri prej të cilëve, Shenasi Maslani – i njohur si “Shenki Versace”, për shkak të obsesionit të tij me këtë markë. Të tjerët e akuzuar janë Reshat Ismani, Abdulla Sadiki dhe Akif Memshi.