Njohës të ecurive ekonomike shpesh e kanë vënë në dukje se Kosova ka nevoja për investime të huaja që krijojnë vende të reja pune dhe që nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Ekonomia Online se shtetet fqinje kanë mjedis dukshëm më përshtatshëm për investime të huaja sesa Kosova.
“Asnjë investitor i huaj në Kosovë këtë vit nuk e ka bërë ndonjë hap për të hapur ndonjë prodhim, ndonjë shërbim ose për të tentuar për të inkurajuar dikush investitorët e huaj të vijnë në Kosovë. Ne i kemi thirrur, por ata nuk vijnë për arsye se Ballkani ka politika më joshëse ekonomike, klimë më të mirë biznesi dhe politika më të mira investuese, infrastrukturë më të lirë, kushte më të mira për çdo investitor. Kosova tashmë është në rangun e vendeve jo me klimë miqësore për investimet e huaja. Të gjitha këto që i përmendëm duhet të kthehen në pozitive dhe në promovim të vlerave ekonomike që ka Kosova”, tha Shahini.
Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, shpreh pikëpamjen për Ekonomia Online se është shpresë e kotë që Kosova në rrethanat e pikërishme politike pa institucione të qëndrueshme dhe nën sanksione të BE-së të tërheq ndonjë investitor të huaj.
“Utopia më e madhe e Kosovës është që në këto rrethana ne të bisedojmë për investime të huaja apo të numërojmë investimet e huaja, qoftë direkte, qoftë indirekte, të cilat nuk ekzistojnë në Kosovë. Në radhë të parë, kemi mungesë të stabilitetit politik, jemi nën sanksione nga BE-ja dhe nuk kemi institucione. Nuk kemi qeveri. Kosova është në duar të ushtruesve të detyrave, në vend se të kemi institucione. Dhe, kur kemi këtë ngritje të energjisë elektrike, atëherë nuk duhet të brengosemi pse nuk kemi investime dhe investitorë të huaj, por duhet të brengosemi pse në Kosovë ikin qytetarë, ik kapitali dhe ka filluar në mënyrë graduale të largohet edhe prodhimi. Nuk duhet të habit fakti që kemi rritje enorme të importeve, por kemi tkurrje graduale të eksporteve që është mjerimi më i madh i shtetit”, tha ai.
Gërxhaliu tha se Kosova nuk mund të jetë tërheqëse për investitorët e huaj, përderisa nuk e përkrah sektorin prodhues dhe bizneset në vend
“Sot trendi më i rrezikshëm është punësimi i militantëve partiakë dhe joprofesionistëve dhe që sa më tepër të kemi militantë partiakë të paditur. Atëherë si mund të kesh një diplomaci, qoftë politike apo ekonomike. Ne nuk mund të joshim investitorët e huaj për të ardhur në Kosovë, përderisa nuk e mbështesim sektorin prodhues dhe bizneset në Kosovë. Nuk mund të jemi atraktive për investitorët e huaj, nëse nuk jemi atraktivë për kapitalin e diasporës, i cili është një thesar i pashfrytëzuar dhe në këtë drejtim besoj që qeveria duhet ta depolitizojë ekonominë. Duhet të flasin profesionistët për ekonominë”, tha Gërxhaliu.
Sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rritje në vitin 2024 , duke arritur në mbi 856 milionë euro, nga 840 milionë euro në vitin paraprak.
Por, sipas ekspertëve, pjesa dërrmuese e tyre është e përqendruar në sektorin e patundshmërisë, e jo në degë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, sipas të cilave, vitin e kaluar, mbi 647 milionë euro janë investuar në patundshmëri, ndërsa vetëm 21 milionë në sektorin e prodhimit.