Nga Ekonomi, Manja, Çuçi te Denaj, Klosi, Hasani dhe Xhafaj, ja kush janë socialistët që do të drejtojnë 7 komisionet parlamentare. PD kundërshton ndarjen e komisioneve të propozuar nga Rama. Pretendon se opozitës nuk i janë dhënë 4 komisione, por se një komision është ndarë në tre pjesë dhe i janë shpërndarë opozitës.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi një takim konsultues me krerët e grupeve parlamentare të partive për formimin e organeve të reja të parlamentit. Në fokus të diskutimeve është përzgjedhja e anëtarëve të delegacioneve, Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që do t’i hapë rrugë rikonceptimit të Komisioneve Parlamentare, sipas modelit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, ku edhe zbuloi kabinetin e ri qeveritar.
Burime për gazetaren Esiona Konomi bëjnë me dije se Gazment Bardhi ka kundërshtuar skemën e propozuar nga Rama. Opozita nuk ka dhënë emra për krerët e komisioneve dhe organet e Kuvendit, por gjithsesi pritet që nesër të vendosë emrat nëpër poste, pavarësisht se ka kundërshtuar arkitekturën e komisioneve. PD ka protestuar për heqjen e Komisionit të Integrimit, dhe pretendon se në fakt nuk i janë dhënë 4 komisione, por një komision që opozita e ka mbajtur (Media dhe Edukimi) është ndarë në 3 pjesë dhe i janë shpërndarë opozitës.
Burime për gazetaren Raziela Myslimaj bëjnë me dije edhe emrat e kryetarëve të 7 komisioneve që do të drejtojë PS-ja. Gazetarja raporton se përveç komisioneve të përhershme, gjithashtu PS ka caktuar edhe drejtuesit për dy reforma që priten në vijim gjatë këti sesioni parlamentar: për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin; për Komisionin e posaçëm për reformën territoriale, Arbjan Mazniku.
Mësohet gjithashtu se zëdhënëse e grupit parlamentar të PS është zgjedhur deputetja deputetja Erjona Ismajli.