Elis Halili u komandua sot në krye të Bashkisë së Vlorës, deri në zgjedhjet e pjesshme lokale, ku qytetarët do të zgjedhin me votë të parin e qytetit. Halili, një nga tre nënkryetarët e bashkisë së qytetit, u propozua nga socialistët për të drejtuar përkohësisht bashkinë pas dorëheqjes së Ermal Dredhës më 10 shtator, por kjo u kundërshtua nga këshilltarët opozitarë.
Mbledhja u zhvillua me tension dhe debate.Sipas këshilltarëve të opozitës, votimi duhet të kryhej në mënyrë të mbyllur me të tre emrat e nënkryetarëve, të Elis Halilit dhe dy të tjerëve Klea Lalo e Irena Toshkallari. Kjo shkaktoi debate gjatë mbledhjes dhe në përfundim në votim të hapur u hodh vetëm emri i Halilit, i cili mori 28 vota pro.
Për demokratët procesi i votimit është i paligjshëm, si edhe paralajmëruan padi në prokurori.
“Je në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës e rregullores. Do shkojmë në prokurori, nuk e lëmë këtë të iki kështu si doni juve. Për ca, për një kuti votimi. Po i keni vota votojeni”, tha Atird Hoxha.
Kreu i këshillit bashkiak Elpiniqi Mërkuri hodhi për votim propozimin e socialistëve, ndërsa këshilltarët e opozitës u larguan nga salla. Kështu me 28 vota të socialistëve në këshillin bashkiak, Elis Halili u komandua në krye të bashkisë së Vlorës.
Pas votimit, Halili mbajti edhe një fjalë të shkurtër duke shprehur falenderime. Kryetari i komanduar tha se në fokus të punës së tij do të jetë vazhdimësia e projekteve në të mirë të qytetarëve të Vlorë.
“Fati por edhe shkollimi që kam marrë janë inxhiner ndërtimi më ka sjellë prej 7 vitesh në Vlorë. Kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve kryesore të këtij qyteti. Për mua është kënaqësi, por më shumë një detyrim që të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak më kanë besuar për të qenë një nga tre nënkryetarët për të drejtuar bashkinë në këtë periudhë tranzitore deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Gjatë kësaj peioudhe fokusi jonë kryesor, do të jetë vetëm në vazhdimësinë e të gjithë projekteve që do e bëjnë më të mirë jetesën e çdo qytetari”, tha Halili.
Halili vjen nga sektori privat, është me profesion inxhinier dhe ka drejtuar prej disa vitesh projektet e firmës “Fusha shpk” në Vlorë.
Më herët gjatë mbledhjes, opozitarët kërkuan praninë e Ermal Dredhës në mbledhje për të sqaruar arsyet e dorëheqjes. Dredha dha dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut të Vlorës më datë 10 shtator. Dredha, i cili drejtonte Vlorën prej muajit korrik 2023, në letrën e dorëheqjes e argumentoi dorëzimin e detyrës si një akt reflektimi dhe përgjegjësie, dhe se po largohet me dinjitet për “t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja”.