Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj. Report Tv mëson se vendimi u mor me 50 vota pro.
Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Këshilli Bashkiak mblodhi 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt; atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Tiranë munguan këshilltarët socialistë Gazment Paja dhe Joleza Koka. Edhe këshiltarët socialistë, Aldo Merkoçi dhe Alfred Muharremi u larguan nga mbledhja në momentin e votimit.
Ndërsa këshilltari tjetër i Bindjes Demokratike, Fabian Topollari nuk mori pjesë në votim.
KËSHILLTARËT QË NUK ISHIN NË MBLEDHJE DHE ATA QË NUK VOTUAN:
Joleza Koka
Eriona Bixho
Gazmend Paja
Eris Bejleri
Ervin Dushku
Alba Kepi
Aldo Merkoçi
Alfred Muharremi
Romina Kuko
Tedi Blushi
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Megi Fino, vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj, por tha se vendimi i sotëm (23 shtator) është i detyrueshëm për shkak të rrethanave.
“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur përpara. Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës”, u shpreh ajo.
Vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt në fakt është propozim. Ky propozim i dërgohet Prefektit të qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë. Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave, që do të certifikojë shkarkimin e Erion Veliajt ose jo.
Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, siç kishte kërkuar edhe vetë ai që të dëgjohej.
Komisioni i Ligjeve të Këshillit Bashkiak Tiranë më herët gjatë ditës së sotme (23 shtator 2025) vendosi që Veliaj të mos ishte i pranishëm në mbledhje, teksa më vonë, Sekretari i Këshillit Bashkiak, përmes një letre drejtuar Veliajt, pak para mbledhjes, tha se nuk ka vendim që e ndalonte të merrte pjesë.
Por këshilltarët demokratë kërkuan që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në këtë mbledhje.
Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Duhet theksuar se mosparaqitja e Erion Veliajt në detyrë si kryebashkiak i Tiranës ka ndodhur për shkak të arrestimit të tij. Ai është në arrest në burg që prej 10 shkurtit, pra më shumë se 6 muaj, edhe pse vetë ka kërkuar disa herë nga gjykata që të hetohej me një masë më të butë sigurie, togat e zeza e patën refuzuar.
SPAK e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq, me 13 akuza ndaj kryebashkiakut, prej të cilave korrupsion në 9 raste. Erion Veliaj është në krye të Bashkisë së Tiranës prej 10 vitesh, ose dy mandate e gjysmë, prej vitit 2015. Ai ka qenë qytetari i parë i Tiranës dy mandate të plota (4 vite secila), ndërsa aktualisht është në gjysmën e mandatit të tretë, duke konsumuar 2 vite.
Çfarë ndodh më pas?
Vendimi i sotëm i Këshillit Bashkiak, do duhet t’i përcillet Prefektit të Tiranës. Eshtë ky i fundit që nga pikëpamja e procedurës, ia kalon Këshillit të Ministrave. Kryeministri Rama e bëri të qartë vetë në Asamblenë e Partisë së tij në fillim të muajit se kryeqyteti nuk mund të rri më pa kryebashkiak.
Kështu që firma e tij, për të vulosur shkarkimin e Veliajt, mbetet thjesht një formalitet. Socialistët madje kanë përcaktuar dhe Ogerta Manastirliu, si kandidaten e tyre për të hyrë në zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës.
Por, planet e kryeministrit rrezikojnë të mos realizohen sipas parashikimit. Veliaj, ka lënë të kuptohet qartë se procesin e nisur ndaj tij e sheh si në shkelje të ligjit. Ai ka një mundësi të fundit, të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 Kushtetutës, parashikon që në rast ankimimi brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të ministrave pezullohet. Për pasojë do të bllokohej edhe procesi zgjedhor për pasuesin e Veliajt.