James Peter Covey është dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike, në vjeshtën e vitit 1999.
Avokati kryesor i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq derisa prezantoi një dokument të OSBE-së, të qershorit të ’99-ës, tha se aty thuhej se “udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte arritur ta zbuste një konfrontim të mundshëm të dhunshëm kur ndaloi qindra persona të kalonin në pjesën që kontrollohej nga serbët në veri [të Mitrovicës]”.
Sipas dokumentit, Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi i OKB-së, Bernard Kushner, ka thënë se problemet do të zgjidheshin në mënyrë paqësore.
Dëshmitari pohoi se kjo përputhej me atë cka ai ka dëgjuar, ndërsa theksoi se thirrje të tilla ka pasur edhe para se ata të shkonin në Kosovë.
“Gjërat nuk kanë ndryshuar vetëm pse kemi arritur ne aty, shumë gjëra ne i kemi mësuar me kalimin e kohës. Shpesh kemi mësuar shumë gjëra vite më vonë, kështu që kur them tani kjo gjë është në përputhje, nuk kam mënyrë për të thënë se kam ditur në momentin kur kemi arritur, dhe në fakt më impresionon fakti që atë që ka thënë zotëri Thaçi vinte nga koha e mëparshme. Kështu që ne nuk mund të themi që është roli ynë që i ka thënë këto gjëra, është një proces i cili në fakt kishte filluar përpara mbërritjes sonë”, tha dëshmitari derisa avokati e pyeti për deklaratën e Thaçit për të shmangur sulmet ndaj pakicave.