Ish diplomati Avni Arifi, e ka quajtur debakël vizitën e Kurtit e Osmanit në SHBA.Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se vizita ishte turistike por e dëmshme për Kosovën, për shkak të deklaratës së Kurtit për pezullimin e dialogut strategjik nga SHBA-të.
Sipas tij, Kurti po vazhdon t’i lëndojë raportet Kosovë-SHBA.“Debakël total. E pashë një video të publikuar kur Thaçi kishte shkuar atje më parë dhe kritika që i kishte bërë Kurti se pse ai nuk e kishte takuar askënd nga Shtëpia e Bardhë. Këta kanë shkuar si një lloj turizmi dhe turizëm i dëmshëm sepse në atë turizëm kanë bërë një paraqitje para studentëve dhe ato që i ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës nuk është dashur t’i thotë një zyrtar i ulët i Kosovës. Ai ka ofenduar SHBA-të, po vazhdon t’i lëndojë raportet Kosovë-SHBA dhe nuk është aspak në interes të Kosovës ajo çfarë ka deklaruar Kurti atje”, është shprehur ai.
Arifi e ka quajtur gënjeshtër të madhe deklaratën e Kurtit, teksa ka shtuar se ai nuk është pritur nga askush atje.
“Ajo është rrenë e madhe dhe është marrë që kryeministri i Kosovës të flasë një rrenë të tillë. E dyta, ka shkuar në Amerikë dhe shiko çka i ka ndodhur Kosovës, asnjë nga zyrtarët e Amerikës, as Departamenti i Shtetit, as Pentagoni, as të Shtëpisë së Bardhë nuk e kanë takuar asnjërin prej tyre”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.Ndërsa, sa i përket vizitës së Osmanit, ish diplomati ka thënë se fotografitë me Trumpin e Rubion nuk janë takime por foto që mund t’i bëjë çdo përfaqësues i shtetit në pritje të tilla.
“Ajo fotografia që është ceremoniale ku çdo përfaqësues i një shteti mund të bëjë me Trumpin është pa identitet, nuk ka pasur takim apo ai koktej ku e kanë bërë një fotografi të përbashkët me Rubion nuk është takim. Shteti i Amerikës ua ka mbyll dyert liderëve të shtetit të Kosovës dhe dënim pas dënimi, kështu që këta po e vlerësojnë që të shkojnë në shtetin e tyre, në SHBA dhe ta fyejnë politikën e jashtme amerikane”, ka potencuar ai.Arifi ka paralajmëruar sanksione të tjera ndaj Kosovës nga SHBA, nëse nuk ndërron politika në Kosovë, rrjedhimisht Kurti si kryeministër.
“Nëse nuk ndërron politika në Kosovë, në këtë rast Kurtin, pasi Kosova identifikohet me Kurtin, sanksionet nuk janë të përjashtuara, është evidente se Kurti po do me kokëfortësi që t’i ndërrojë projektet amerikane, projektet e BE-së, për hir të interesave që nuk e di të kujt se nuk janë interesa të Kosovës dhe sanksionet nuk janë të përjashtuara fare. Unë besoj se veç janë të informuar se do të ketë sanksione tjera”, ka deklaruar Avni Arifi./