Shqipëria ka hapur sot dyert për pritjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor zhvillimit dy ditor të samitit të Procesit të Brdo-Brijuni. Dita e dytë e samitit është zhvilluar në Golem ndërsa është drejtuar nga presidenti i Republikës Bajram Begaj. Tryeza e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, uli në një tavolinë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani si dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në fjalën e tij hapëse së samitit Brdo-Brijuni, presidenti Bajram Begaj, ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal, është faktor kyç në integrimin e rajonit në Bashkimin Europian. Begaj tha se vazhdon të mbështesë dialogun me fokus bashkëpunimin dhe integrimin në BE.
“Për ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit europian. Ne duhet të shkëmbejmë eksperiencat dhe përvojat për integrimin në BE.
Shqipëria vazhdon të mbështesë dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe integrimin në BE. Ne duhet të vazhdojmë të shëkëmbëjmë eksperiencat dhe njohuritë. Besoj që sot do të ndajmë mendime për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.
Shqipëria vlerëson procesin e Brdo-Brijuni. Ballkani ka shënuar progres në fushën e demokracisë. Por Rajoni ynë përballet me kërcënime sigurime, veçanërisht nga lufta ruse mbi Ukrainë dhe ndikimet e saj në rajon. Integrimi europian nuk ka lidhje vetëm me anën politike, por edhe me rritjen e sigurisë për rajonin”, tha Begaj.
Gjithashtu Begaj zhvilloi dhe një konferencë të përbashkët me presidenten sllovene Nataša Pirc Mussar dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, duke paraqitur për publikun një panoramë të samitit të zhvilluar me dyer të mbyllura.
“Në këtë samit diskutuam për sfidat gjeopolitike dhe ekonomike që përballet rajoni. Shqipëria mbështet dialogun rajonal, si element për rujatjen e paqes dhe integrimin rajonal. Në samitin e sotëm, diskutuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm në dialogun rajonal”, tha ndër të tjera Begaj.
Presidenti Begaj vuri në dukje përparimin e Shqipërisë në hapjen e grupkapitujve së bashku me qëllimin për t’i mbyllur në 2027 dhe për të qenë anëtare e BE-së në vitin 2023.
Tashmë një traditë për çdo mbledhje qeveritare dhe ndërqeveritare, liderët e Ballkanit Perëndimor u rreshtuan krah njëri-tjetrit për të realizuar foton familjare.
Të pranishëm kanë qenë dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Sllovenia dhe të dy shteteve themeluese të këtij procesi, Kroacisë dhe Sllovenisë, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të përshpejtuar integrimin europian të rajonit dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta.
Temat e diskutuara kishin si synim bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.