Ministria për Çështje Evropiane informon se që nga sot, 7 tetor 2025, Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht fillon aplikimin e Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), me çka qytetarët dhe kompanitë do të mund të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro drejt vendeve anëtare dhe nga vendet anëtare të SEPA-s me kushte të njëjta si në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Sot, me fillimin e aplikimit praktik për transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira në euro, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë pjesë aktive e Zonës evropiane të pagesave, që është hap i rëndësishëm në avancimin e integrimit me tregun e vetëm evropian.
Bashkimi me SEPA-n është pjesë e aktiviteteve në kuadër të Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes rritjes së qasjes në tregun e vetëm, shtytjen e investimeve dhe avancimin e shërbimeve financiare.
“Ky progres i rëndësishëm është rezultat konkret i përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e standardeve evropiane dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe bizneset. Me zbatimin e pagesave SEPA, vendi ynë po afrohet drejt rrjedhave financiare evropiane dhe konfirmon progresin e tij të vazhdueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thonë nga MÇE.
“Kjo do të thotë që vendi praktikisht bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), ku qytetarëve dhe kompanive do t’u mundësohet kryerja e pagesave në euro në të njëjtën mënyrë si në vendet e Bashkimit Evropian. Nga anëtarësimi në SEPA priten përfitime të shumta për qytetarët, kompanitë dhe ekonominë në përgjithësi. Mbi të gjitha, priten pagesa ndërkufitare në euro më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonominë maqedonase, e cila karakterizohet nga shkalla e lartë e hapjes tregtare dhe vëllimi i madh i pagesave ndërkufitare. Rrjedhimisht edhe potenciali për kursime kostosh, përmirësim likuiditeti dhe rritje konkurrueshmërie të kompanive është i madh. Kjo mund të luajë rol të rëndësishëm në procesin e integrimit të mëtejshëm tregtar, përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe zvogëlimit të hendekut të të ardhurave me BE-në”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se hapi krucial për zbatimin e kësaj reforme ishte miratimi i Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, i cili u përgatit nga Ministria e Financave dhe u propozua nga Qeveria, si dhe aktet nënligjore të cilat Banka Popullore i ka miratuar për implementimin e këtij ligji.
“Ky projekt është hap i rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës në Maqedoni, duke i përshtatur standardet e vendit tonë me ato të vendeve evropiane. Ministria e Financave dhe Banka Popullore do të vazhdojnë me reformat e orientuara në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset”, tha ministrja.
Kërkesa për aderim në SEPA është parashtruar më 10 korrik 2024, ndërsa aplikimi u pranua më 6 mars 2025 nga ana e Këshillit Evropian të Pagesave për përfshirje në SEPA, me ç’rast bankave vendase u mundësohet edhe përfshirja në skemat e pagesave në euro. Bëhet fjalë për rajonin që përfshin 41 vende të Evropës.
Aplikimi i Maqedonisë së Veriut u pranua nga Këshilli Evropian i Pagesave më 6 mars të këtij viti, duke zyrtarizuar kështu anëtarësimin në SEPA.
Tregu Unik i Pagesave në Euro (SEPA) është një iniciativë e industrisë bankare dhe të pagesave evropiane e përfaqësuar nga Këshilli Evropian i Pagesave, e mbështetur nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera të BE-së për të rritur efikasitetin e pagesave në euro dhe për të zhvilluar dhe thelluar më tej tregun e vetëm evropian. Ajo u krijua në vitin 2008 dhe u zbatua plotësisht në vitin 2014.